Janë 20 veta. E përbëjnë trupën më të rëndësishme qeveritare.
Kur u zgjodhën, 19 anëtarët e kabinetit qeveritar në krye me Avdullah Hotin, prapa i patën edhe 61 persona të tjerë, të gjithë deputetë të Kuvendit.
Por, në PDK-në opozitare thonë se gjërat prej atëherë me 3 qershor e deri tash kanë ndryshuar dhe se koalicioni aktual nuk i ka numrat.
“Ajo duhet ta sfidojë vetën. Ata dëshmojnë që nuk i kanë numrat për të kaluar as ligjet më bazike”, tha deputeti i saj Ferat Shala për Front Online.
Sipas deputeti Shala kjo u dëshmua disa herë si në rastin e projektligjit për Rimëkëmbje ekonomike.
“Në parim, Qeveria nuk është e interesuar që këtë projektligj ta kthejë në ligj sa më shpejtë. Zhagitjet, lojëra, tendenca, për qëllime të caktuara politike, çështja e mazhorancës, po e përdorë në mënyrën më të skajshme të mundshme. Qeveria, nëse nuk mundet, duhet ta pranojë”, u shpreh ai për Front Online.
Partia e dytë më e madhe opozitare nuk ka vendosur nëse do ta votojë ose jo në seancën e ardhshme, kurdo që të mbahet, këtë projektligj, teksa akuza për Qeverinë ka edhe për diçka tjetër.
“Trepça është në një situatë para falimentimit dhe nuk kemi asnjë ide konkrete qeveritare nga institucionet që ta shpëtojnë nga ky kolaps“, deklaroi ai për Front Online.
Për këtë ekzekutivi duhet të marrë anë.
“Duhet të ofrojë zgjidhje ose me ecë vetë. Nuk mund ta kolapsojë shtetin”, pohoi ai për Front Online.