
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati për sic thotë ai “mashtrimin e radhës” ndaj punëtorëve, pas deklarimeve për rritjen e pagës minimale në 500 euro.
“Ekspozeja e Kurtit dhe deklarimet e sotme të Muratit janë mashtrimi i radhës i ulët me kategorinë meritore që janë punëtorët se nuk kanë kompetencë e as mekanizëm institucional që të realizojnë një gjë të tillë”, ka thënë Shala.
Ai ka deklaruar për “Front Online” se Kurti dhe Murati po përdorin çështjen e pagave për qëllime elektorale, në prag të balotazhit dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Është mashtrim se nuk mund të premtosh ngritje pagash ai që nuk është në rolin dhe funksionin e ekzekutivit të qeverisë. Premtime elektorale për të mashtruar elektoralin në prag të balotazhit dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme duke keqpërdorur emrin e shtetit me këso logjike”, potencoi Shala.