Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka adresuar një varg kritikash për kryeministrin Avdullah Hoti në lidhje me trajtimin e çështjes së të pagjeturve. Ai e vlerësoi edhe si neveritëse mungesën e kreut të qeverisë në interpelancën ku është thirrur për të raportuar për këtë temë. Por qeveritarët e arsyetuan atë se është në një takim virtual me presidentin e Francës, Emanuel Makron.
Ish-ministri gjatë seancës së sotme, tha se është e çuditshme indiferenca e kryeministrit dhe qeverisë për të pagjeturit, derisa në Serbi po gjenden varreza masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit.
“Çka është e çuditshme është indiferenca e kryeministrit dhe qeverisë, kjo na bënë me u çuditur. Se ku gjendet Serbia nuk kam nevojë askujt me i tregu në këtë parlament, e as një prej qytetarëve tanë. Po ku gjendet Qeveria e Kosovës, ku gjendet kryeministri, ku janë ministrat tjerë, çfarë ofensive diplomatike kemi fillu. Gjendet varrezat masive në Serbi, si shërbehet kjo çfarë shteti është ai, kuptoni se mund të përdoret për rehabilitimin e tyre, shikoni ne po i nxjerrim ata ishin, një serbi e kaluar. Këtu bini në kurth duke mos nxjerr faktet se edhe sot Serbia tenton të fsheh varrezat masive që i ka. Është neveritëse paralizimi, heshtja e qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Avdullah Hoti dhe është neveritëse mungesa e tij. Kam takim në ora 12:00 interpelanca është tri orë, eja ose kërko të shtyhet”, tha ai.
Por atij i reagoi, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj i cili sqaroi mungesën e shefit të tij në seancë.
“Nuk pajtohem aspak me të gjitha kontestimet e deputetit që foli. Është hera e dytë që për një periudhë të shkurtër kemi ardh në Kuvend për të diskutuar për këtë temë. Është hera e tretë që kemi raportuar në komisionin parlamentar për këtë çështje. Qeveria është e gatshme që sa herë kërkohet të vijë këtu, por unë po iu informojë se mungesa e kryeministrit është se prej orës 12:00 deri tash kur po flasim është në një takim virual me presidentit Makron. Mungesa e tij është për këtë arsye”, tha ai./FrontOnline/