Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa ka thënë që mosprezenca e ish-kryetarit të partisë, Kadri Veseli në zgjedhjet e 14 shkurtit ka ndikuar në rezultatin zgjedhor të kësaj partie.
Sipas tij me programin që ka pasur PDK-ja dhe me prezencën e tij, partia do të merrte një rezultat më të mirë.
“Kam besuar që PDK-ja ka me dal më fuqishëm në zgjedhje sesa kishte qenë në ato të tetorit të 2019-ës nga puna në terren. Ne nuk e kishim kryetarin Veselin dhe mendoj që mosprezenca e tij e ka pas një rënie PDK-ja. Me pas qenë z.Veseli në Kosovë me programin që ka pasur PDK-ja do ta kishim një avantazh me të mirë. Ky ka qenë rezultati dhe ne e kemi pranuar si të tillë”, ka thënë ai, në emisionin “Frontal”, në T7.
Më tutje ai deklaroi se programi i PDK-së ka qenë ndër më të mirët.
“PDK-ja i ka pasur të metat e veta. Si e metë kryesore ka qenë mungesa e liderit dhe ish-liderit, që padrejtësisht janë duke e mbrojtur një kauzë të drejtë të UÇK-së. Kam menduar se kemi avancuar se kemi pasur një mobilizim të elektoratit anë e mbanë Kosovës. Kemi pasur një program të hartuar nga ekspertët dhe kemi pasur një kandidatë shumë të përgatitur”, ka deklaruar ai.