Deputeti nga radhët e LVV-së, Dimal Basha ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, që të lejohet lëvizja e lirë dhe fëmijët të mund të shijojnë zbukurimin e shesheve për festat e fundvitit.
Basha, në llogarinë e tij në “Facebook”, theksoi se është absurd vendimi që qytetarët të mbyllen e mos të shëtisin në ambiente të hapura.
“Edhe ashtu nuk është se kemi parqe apo hapësira për aktivitete për ta, prandaj duhet që t’ua mundësojmë që t’i gëzojmë sadopak me këto drita duke i lënë të lëvizin lirshëm në mbrëmje, e jo t’i ndezim dritat e t’i dënojme fëmijët duke i shikuar ato nga dritaret”, ka shkruar ai.
Sipas Bashës “është e dhimbshme izolimi i fëmijëve brenda derisa bredhi me ndriçime shkëlqejnë jashtë”.
Postimi i tij i plotë:
Thirrje që të lejohet lëvizja e lirë!
Në shumë komuna është bërë zbukurimi i shesheve për festat e fundvitit, mirëpo këtë ndriçim nuk po e shijojnë fëmijët, ata që më shumti gëzohen me bredhin e dritat për shkak të ndalesave.
Ndoshta dikush e kupton mbylljen e lokaleve, edhe pse tanimë iu ka dal komplet dore menaxhimi, mirëpo është absolutisht absurde vendimi m’i mbyll qytetarët të mos shëtisin në ambiente të hapura, e sidomos fëmijët që t’i gëzojnë ndriçimet në sheshe.
Edhe ashtu nuk është se kemi parqe apo hapësira për aktivitete për ta, prandaj duhet që t’ua mundësojmë që t’i gëzojmë sadopak me këto drita duke i lënë të lëvizin lirshëm në mbrëmje, e jo t’i ndezim dritat e t’i dënojme fëmijët duke i shikuar ato nga dritaret.
Prandaj bëj thirrje tek z. Zemaj që urgjentisht të lejohet lëvizja e lirë, sepse infektimi nuk ndodh në ambient të hapur dhe duhet që prindërit me fëmijë t’iu gëzohen këtyre festave, sepse është absurde dhe e dhimbshme izolimi i fëmijëve brenda derisa bredhi me ndriçime shkëlqejnë jashtë.