Për të gjashtën herë, ka dështuar votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, pasi që nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u miratuar, raporton portali Front Online.
Lidhur me mosvotimin e këtij Projektligji, për Front Online, ka folur deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni.
Ai fajin për mosmiratimin e këtij Projektligji e ka hedhur te deputetët, pasi që siç tha ai kjo është papërgjegjësi e deputetëve ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Kjo do të thotë se papërgjegjësia e deputetëve ndaj qytetarit është minimale. Ky nuk është Projektligj i Qeverisë, është i qytetarëve. Ky është Projektligj që suporton krizën që ka ardhur si pasojë e pandemisë dhe kjo realisht e ka veç një formulë, është papërgjegjësi e deputetëve ndaj qytetarit dhe mirëqenies së tij”, u shpreh ai për Front Online.
I pyetur se çfarë do të bëjnë pas gjashtë dështimeve për ta miratuar Projektligjin, Hyseni tha se ende nuk kanë marrë vendim dhe se për këtë do të diskutojnë me grupin parlamentar.
Deputeti Hyseni tha se shumë gjëra nuk janë të përshtatshme që Projektligji i propozuar nga PDK-ja për Rimëkëmbje Ekonomike ta merr përkrahjen e tyre.
“Projektligji i PDK-së ka ndryshime dhe shumë gjana nga ai Projektligj nuk janë për momentin të përshtatshëm. Akoma se kemi marrë një vendim, do të diskutojmë prap”, deklaroi Hyseni.
Deputeti i LDK-së foli edhe për mundësinë e futjes së PDK-së në Qeveri, pas heqjes së vijave të kuqe nga Isa Mustafa.
“Për momentin nuk ka diçka konkrete nuk kam informatë nëse ka pasur bisedime dhe mendoj se është herët me fol”, tha ai për Front Online.