Lista Serbe e cila është pjesë e Qeverisë “Hoti” dje është deklaruar se është duke e shqyrtuar mundësinë e largimit nga koalicioni qeverisës LDK-AAK-Nisma.
Por deklaratat e Listës Serbe për largim nga koalicioni, nuk ka dashur t’i komentoj deputeti i AAK-së, Gazmend Syla.
Ai në një prononcim për Front Online, tha se për këtë duhet të pyetet LDK-ja dhe kryeministrit Hoti.
“Nuk marr përgjegjësi që të prononcohem për deklaratat e dikujt tjetër. Ndoshta, këtë pyetje kishte qenë mirë t’i drejtoheni bartësit të koalicionit, LDK-së apo kryeministrit Hoti”,
Ndërsa dështimin e seancave të Kuvendit të Kosovës ku nuk po arrijnë të kalojnë Projektligjet për shkak të mungesës së kuorumit, Syla e ka arsyetuar me situatën me pandeminë e Coronavirusit.
“Është e vërtetë qe po dështojnë seancat, por situata me Covid-19 ka bërë qe disa deputetë të mungojnë me arsye”, tha Syla për Front Online.
Ai tha se në seanca kanë qenë prezent të gjithë deputetët e AAK-së dhe se do të vazhdojnë të marrin pjese edhe në seancat e ardhshme kur është në pyetje interesi i qytetarëve.
“Deputetët e Aleancës kanë qenë të gjithë në sallë, sikurse në votimet e mëhershme. Ne sikurse në seancat e mëparshme edhe në seancën e radhës do të jemi prezent i gjithë Grupi Parlamentar, e sidomos kur në pyetje janë çështjet me interes jetik për qytetaret, çdoherë do të jemi të përgjegjshëm”, tha ai për Front Online.