Me gjashtë vota për e asnjë kundër, anëtaret e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, i kanë rekomanduar Komisionit për Buxhet që të shqyrtoj kërkesën e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës Civil të Kosovës, që të shtohet buxheti për këtë institucion, pas rritjes së numrit të anëtareve në këtë Këshill.
Kritika për mos buxhet të mjaftueshëm për institucionet e pavarura në Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2025, paraqiten deputetët opozitarë, të cilët po ashtu kritikuan se shqyrtimi i buxhetit është duke u bërë me procedura të përshpejtuara.
Kryetari i Komisionit Valon Ramadani, ka thënë se kanë pranuar një kërkesë nga ky Këshill dhe se e njëjta kërkesë i dërgohet pa rekomandime shtesë, Komisionit për Buxhet, që të shqyrtohet dhe të dërgohet në seancë në lexim të dytë të Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës, për vitin 2025.
Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ka thënë se është shqetësuese që kërkesat e institucioneve të pavarura për buxhet, nuk merren parasysh nga ana e qeverisë.
Ai tha se si pasojë e kësaj, pastaj këto institucione po përballen me probleme.
“Është shqetësuese, sepse për vetë faktin kemi marr kërkesat e institucioneve që na raportojnë. Është afat i shkurtër që të shqyrtohen kërkesat. Këtë shqyrtim të jepen vetëm për dy ditë është e pa drejtë sepse ky projektligj duhet ta ketë kohën e mjaftueshme që të përgatiten institucionet që të kenë një funksionim të mirëfilltë. Ne e kemi parë në vazhdimësi që nuk kanë pasur mbështetjen e duhur as RTK-ja, as Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Civil, as për Komisionin e Pavarur për Media. Institucionet e pavarura është shqetësuese se si i trajtojnë këto kërkesa. Është viti i 4-të që RTK-së i është larguar një buxhet i madh”, ka thënë ai.
Deputeti i LDK-së Agim Veliu, ka thënë se shqyrtimi i buxhetit në Komisione është duke u bërë me procedura të shpejta duke mos u dhënë kohën e mjaftueshme që të trajtohen kërkesat e institucioneve.
“Edhe pse nuk ja vlen që të diskutohet në mbledhje të tilla sepse po bëhet me një nguti të panevojshme. Ka pasur kohë që të shkoj me procedura të rregullat nëpër komisione. Në lidhje me kërkesën e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës Civil të Kosovës e cila e argumenton këtë që jam duke thënë unë. Kjo është kërkesë e arsyeshme dhe e detyrueshme sepse me aprovimin e ligjit ka ndryshuar numri i anëtareve, ajo rritje është dashur që të pasqyrohet në buxhet dhe nuk është futur në buxhet. Është dashur që buxheti të aprovohet në procedura normale pa nguti”, ka thënë ai.
Deputeti i VV-së, Besim Muzaqi, ka thënë se si mazhorancë garantojnë se secili institucion do të funksionojë në mënyrë të rregullt dhe se do të ndahen mjete të mjaftueshme për secilin prej tyre.
“Shqetësim do të duhej të ishte sikur të kishte vonesa. Është buxhet rekord për nga shifrat. Ne garantojmë që se secili institucion se si ka funksionuar pa mungesa, nuk do të mbetën keq, do të ndahen mjete të mjaftueshme”, ka thënë ai.