×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetët Hoxha dhe Gashi pretendojnë se me “izën” e Radoiçiqit votuan pro Vjosa Osmanit presidente

    FrontOnline
    22 Tetor 2024

    Dy deputetët e komuniteteve jo-shumicë në Kuvendin e Kosovës, Adem Hoxha nga partia e goranëve “Jedinstvena Goranska Partija”, dhe Fadil Gashi nga “Romani Iniciyativa”, patën marrë pjesë dhe votuar për Vjosa Osmanin në postin e presidentes të dielën e 4 prillit, 2021, një ditë pasi votimi kishte dështuar në dy përpjekje të ndara në mungesë kuorumi.

    Hoxha dhe Gashi, ndonëse garuan me parti të veta në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, u bënë pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe.

    Ndërkaq, portali “Paparaci” ka biseduar me dyshen, të cilët kanë rrëfyer mbi prapaskenat që çuan në votën e tyre pro Osmanit për presidente.

    E për të marrë pjesë seancë dhe për të votuar për Osmanin, ata thonë se fillimisht kishin marrë një telefonatë dhe ishin pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.

    Megjithatë, ata e pranojnë haptas se për votën e tyre pro Osmanit, morën leje nga Millan Radoiçiqi, shefi faktik dhe asokohe nënkryetari i Listës Serbe. Radoiçiqi asokohe ndodhej në arrati si i kërkuar nga autoritetet kosovare nën dyshimin për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Olliver Ivanoviq.

    Në dy intervista për “Paparacin”, dy deputetët që përfaqësojnë komunitetet joserbe, dëshmojnë për prapaskenat e ngjarjeve të 4 prillit, takimin me kryeministrin Kurti dhe rolin përcaktues të Radoiçiqit për votimin e presidentes Osmani.

    “Unë si parti e vetme gorane jam në grup në Listën Serbe, ne kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë, ne jemi konsultuar dhe qëndrimi ishte që të mos shkojmë në Kuvend, gjë që ashtu ishte, ditën e parë…”, e pranon deputeti Adem Hoxha. “Unë personalisht e kam pyetur kryetarin e grupit (grupit parlamentar), Igor Simiqin dhe qëndrimi ishte që të mos shkohet”.

    Shkuarjes së deputetit goran në seancë një ditë më vonë, i parapriu një telefonatë e tij me kryeministrin Albin Kurti, pretendon ai.

    “Kjo ishte dita e parë, dhe ditën e parë nuk kam qenë në Kuvend. Pas një kohe, unë në fshat, po më cingëron telefoni, dmth. rreth orës 11, e kam edhe në telefon, këtë mund ta vërtetojmë, më ka thirrur kryeministri Albin Kurti…”, thotë deputeti Hoxha.

    Telefonata me Kurtin ishte e shkurtër.

    “Më luti që të vij nesër, për ta thirrur mbledhjen e Kuvendit dhe ta përkrah presidenten Vjosa Osmani, ne biseduam…”, shprehet Hoxha.

    Deputeti në fjalë pretendon se gjatë bisedës telefonike me Kurtin, ka shprehur vullnet për përkrahje të institucioneve dhe se e ka informuar kryeministrin se fillimisht i duhej të konsultohej me Radoiçiqin.

    “Siç thash më herët, komuniteti goran kurrë nuk ka qenë për bllokimin e institucioneve, ne gjithmonë e kemi përkrahur funksionimin e institucioneve, dhe këtë e kemi treguar në shumë raste, dhe jemi marrë vesh që të shihemi të nesërmen, por unë i thash se së pari duhet të konsultohem me Listën serbe, konkretisht me nënkryetarin e Listës Serbe, Millanin”, shpjegon Hoxha.

    Shkurtimisht, deputeti tha se Radoiçiqin e informoi për telefonatën me Kurtin.

    “Unë e thirra, i shpjegova se më ka thirrur kryeministri….”, përfundoi Hoxha.

    Të dielën e 4 prillit, para fillimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit, Hoxha dhe Gashi do të priteshin në një takim nga Kurti. Takimi derivonte nga pajtimi që qe arritur në bisedën telefonike të një dite më parë.

    Adem Hoxha ishte njeriu në kontakt me Radoiçiqin. Fadil Hoxha e ndiqte atë. Kështu thotë se e kishte urdhëruar atë vetë Radoiçiqi.

    Deputeti Gashi kujton se në ditën e votimit të presidentes kishte marrë ftesë nga deputeti Adem Hoxha që të shkonin në Kuvend për takim me kryeministrin.

    “Më 4 prill, të dielën, seanca ka qenë në orën 5 (17:00 shën.red.), më ka thirr Adem Hoxha, kolegu im, dhe më ka thënë Fadil a mundemi m’u taku te Kuvendi i Kosovës, aty jemi taku me Ademin, kemi hyrë te z. Kurti, te kryeministri, dhe kemi biseduar me të dhe në orën 6 (18:00 shën.red.) kemi zbritur në sallën e Kuvendit”, kujton deputeti Gashi.

    Pas takimit, ata tregojnë se kishin zbritur poshtë në sallën e Kuvendit dhe kishin votuar për Osmanin presidente.

    Gashi thotë se urdhri kishte ardhur nga Radoiçiqi.

    “Neve na bindi … unë përsëri po kthehem … kolegu im Adem Hoxha ka biseduar me nënkryetarin e Listës Serbe Millan Radoiçiq…”, thotë deputeti Gashi. “Unë po përsëris, unë nuk kam folur me të [me Radoçiqin, v.j], Adem Hoxha ka folur me të edhe … unë jam për herë të parë deputet … dhe si më ka thënë z. Radoiçiqi … konsultohu me Ademin, Adem Hoxhën, ashtu edhe kemi vepruar”.

    Të mërkurën e javës së shkuar, deputeti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes ka folur në telefon me Radoiçiqin në prezencën e vetë Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

    Ai tha se në këtë bisedë telefonike “u peshkua” një deputet për votimin e saj dhe praktikisht ajo u arrit. I referohej deputetit Adem Hoxha.

    “Unë kam pasur një telefonatë me zotëri Radoiçiqin, një ditë para zgjedhjes së Presidentes, këtë e di edhe Presidentja edhe kryeministri Albin Kurti, sepse telefonata është bërë në praninë e tyre. Është një telefonatë e tillë ka qenë sepse unë nuk mundem të gënjej, është shiku që të gjendet edhe një deputet dhe aty është peshku edhe një deputet praktikisht”, ka thënë Pacolli për Tëvë 1.

    Pacolli pretendon që kjo telefonatë është bërë me dijeninë e Osmanit dhe Kurtit.

    Mirëpo, këto deklarime i ka hedhur poshtë Zyra e Kryeministrit.

    Zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu, në një deklaratë për media javën e kaluar, tha se kjo deklaratë nuk është e vërtetë.

    “Absolutisht e pavërtetë. Nuk ka asnjë rast në të cilin deputeti Pacolli të ketë komunikuar me Radoiçiqin në prani apo në dijeni të kryeministrit Kurti, aq më pak me kërkesë të tij”, tha zëdhënësi qeveritar.

    82 deputetë kishin marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës më 4 prill, 2021, ditën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit në postin e presidentes. Në seancën e një dite më parë të votimit të Osmanit për presidente, nuk ishte arritur kuorumi i mjaftueshëm prej 80 deputetësh. 78 deputetë kishin marrë pjesë në atë seancë.

    Njoftimi i KEDS: Nesër në këto zona do të ketë punime
    Nga Rubrika
    Lajme22 Tetor 2024
    Për të shënuar 25 vjetorin e themelimit të USAID-it, në hapësirat e Klan Arenës u organizua një pritje. Në mesin e të...
    Lajme22 Tetor 2024
    Prishtina dhe Beogradi ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër mbi hapat që do të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve...
    Lajme22 Tetor 2024
    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja,...
    Të tjera
    Lajme22 Tetor 2024
    Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se sot është takuar me përfaqësuesin alternativ të Shteteve të Bashkuara për Çështjet e Posaçme...
    Lajme22 Tetor 2024
    Time Kadrijaj nga AAK komentoi vizitën e O’Brien, duke theksuar se ajo është pjesë e një serie vizitash për shkak të situatës...
    Lajme22 Tetor 2024
    Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se gjatë periudhës tremujorit të fundit ka deklaruar se i ka shpenzuar 351...
    Opinione22 Tetor 2024
    Nga Hisen Berisha: Presidentja aktuale duhet të largohet nga detyra për shkak të procesit të kontaminuar dhe të pandershëm që çoi në...
    Lajme22 Tetor 2024
    Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka njoftuar se është takuar me Haluk Bayraktarin, shefin e kompanisë që prodhon dronët e njohur turk....
    Lajme22 Tetor 2024
    Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, njëherit nënkryetare e PDK-së, komentoi vizitën e Ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.