Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Alban Hyseni dhe Dimal Basha, kanë thënë se do të refuzojnë të mbajnë mbledhje të komisionit nëse ato nuk mbulohen nga mediat dhe nëse mediat nuk ftohen publikisht nga kryetari i Komisionit, Shkëmb Manaj.
Basha ka treguar se sot e kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Legjislacion për këtë arsye.
“Sot e kemi lëshuar mbledhjen e Komisonit për legjislacion. Patëm të ftuar ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi. Ka një kohë që mediat nuk e mbulojnë punën e Komisionit, por pa fajin e tyre. Sekretariati ia ka dhënë përgjegjësinë kryetarit të Komisionit, Shkëmb Manaj nga LDK-ja për këtë, por ai po refuzon të ftojë mediat. Për hir të transparencës dhe rëndësisë së projektligjeve të cilat bëhen për qytetarët, duhet që mediat të kenë praninë e tyre në të gjitha mbledhjet e Komisionit. Jemi të dakorduar si LVV që refuzojmë të jemi pjesë e Komisionit tash e tutje nëse kryetari nuk e kryen punën e vet për të cilën e ka direktivë nga Sekretarit i Kuvendit”, ka thënë Basha në një prononcim për media.
“Për hir të transparencës kemi debatuar edhe Projektligjin për Kodin Civil, i cili ka qenë një ndër aktetet më të mëdha krahas Kodit Penal, që është diskutuar në Komision, por s’ka pasur mbulim të mediave. Mirëpo, është e rëndësishme për qytetarët të kenë të gjitha informacionet para se me ardh në Kuvend. Ne si anëtarë të LVV-së, si deputetë dhe anëtarë të Komisionit për Legjislacion nuk do të jemi në mbledhje derisa ato nuk mbulohet nga mediat dhe kryetari nuk i fton publikisht ato”.