Departamenti Amerikan i Shtetit ka ripërsëritur qëndrimin se institucionet e Kosovës duhet t’i ofrojnë mbështetje të plotë Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Institucioni amerikan tha për Euro News që Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar “kanë besimin e plotë të qeverisë amerikane”, një ditë pasi një shoqatë e ish-luftëtarëve të UÇK-së që jetojnë në SHBA i shkruajtën Presidentit Joe Biden për sjelljen e Gjykatës Speciale në Kosovë, përcjell Gazeta Express.
“Ne vazhdojmë të besojmë se institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë mbështetje të plotë dhe të qartë për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, deklaroi për Euronews një nga zëdhënësit e DASH’it.
Ushtarët shqiptaro-amerikanë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në 22 vjetorin e sulmeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, në një letër shkruar presidentit amerikan, Joe Biden, kanë kërkuar zhvendosjen e Gjykatës Speciale në Kosovë, teksa kanë përmendur “ndërhyrjet politike” në të.
“…Në mënyrë që të zvogëlohet ky dëm dhe që të sigurohet pavarësia e gjykatës ne kërkojmë vëmendjen tuaj për të ndaluar ndërhyrjet politike dhe për të zhvendosur Dhomat e Specializuara nga Haga në Kosovë. Kosova është vend sovran dhe do të duhej të administrojë drejtësinë dhe sistemin e gjyqësisë vetë”, thuhet në letër.
Shoqata Atlantike, e cila i përfaqëson 400 veteranë të UÇK’së, me bazë në SHBA, nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga mediumi.