Senatorët demokratë, përfshirë kandidaten për nënpresidente Kamala Harris, e kanë kategorizuar të hënën të nominuarën e presidentit amerikan, Donald Trump, për anëtare të Gjykatës Supreme, Amy Coney Barrett, si kërcënim për përkujdesjen shëndetësore të njohur si Obamacare në kohën e pandemisë dhe kanë denoncuar synimin republikan për konfirmimin e saj para zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Teksa Komiteti i Senatit për Drejtësi e nisi seancën dëgjimore katërditore për konfirmimin e Barrettit, demokratët shprehën kundërshtim të fortë për të përzgjedhurën e Trumpit, ndonëse kanë gjasa të pakta për ta penguar nominimin e saj në senatin e dominuar nga republikanët.
Konfirmimi i Barrettit mund t’u ofrojë konservatorëve të Gjykatës një shumicë prej 6-3 në atë që mund t’ua hapë rrugën vendimeve rreth të drejtave të abortit, zgjerimit të të drejtave fetare dhe të posedimit të armëve, si dhe t’i mbajnë në fuqi kufizimet për votime.
Por, ishte fati i Aktit të Përkujdesjes së Qasshme Shëndetësore (ACA), ndryshe e arritura madhore politike e presidentit të mëparshëm Barack Obama, që u ofroi miliona amerikane mbulueshmëri për shpenzimet mjekësore, tema që ishte në fokusin e Harrisit dhe bashkëpartiakëve të saj. Barrett kishte kritikuar vendimin e vitit 2012 të Gjykatës Supreme, autorizuar nga konservatori John Roberts, për mbajtjen në fuqi të Obamacare.
Harris, bashkëkandidate e pretendentit demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, e quajti “të paligjshëm” procesin e konfirmimit në një kohë kaq afër zgjedhjeve.
“Besoj se ky proces dëgjimor është përpjekje e qartë për ta çuar përpara një të nominuar për Gjykatën Supreme që do ta zhbëjë përkujdesjen shëndetësore për miliona amerikanë në kohën e pandemisë vdekjeprurëse që tashmë ka marrë jetët e më se 214 mijë qytetarëve”, ka thënë Harris gjatë një videoadresimi.
Barretti, e nominuar nga republikani Trump për ta zënë vendin e lënë vakant në Gjykatë që pas vdekjes së anëtares liberale Ruth Bader Ginsburg, rrinte e ulur në bankinën karshi senatorëve, duke bartur një maskë të zezë mbrojtëse nga koronavirusi.
Dëgjimi nisi me fjalimet hapëse të senatorëve dhe pas kësaj edhe të vetë Barrettit, e cila gjatë së martës dhe të mërkurës do të përballet me pyetjet e senatorëve.
Seanca është qenësore përpara se Senati si tërësi të votojë deri në fund të tetorit për konfirmimin e saj në pozitën e përjetshme në Gjykatë. Republikanët kanë një shumicë prej 53-47 në Senat, kështu që konfirmimi i Barrettit konsiderohet si pothuajse i sigurt.