Analisti politik, Agron Demi thotë se në komisione parlamentare bëhet puna kryesore e deputetëve.Në komisione, thotë ai deputetët populist janë më të padijshmit.
Demi kërkon nga qytetarët që të mos votojnë demagogët, por persona që janë profesional ose së paku dinë të shkruajnë.
Postimi i tij i plotë:
Angazhimi im i parë profesional ka qenë si asistent i komisioneve parlamentare. Në komisione parlamentare bahet puna kryesore dhe ma e rëndësishme e deputetëve.Në komisione ndahet ‘shapi prej sheqerit’. Në komisione e kupton që demagogjia nuk kryen punë, ‘gjithologjia’ e deputetëve nuk kryen asnjë funksion. Në komisione e sheh që deputetët më populist, janë më të padijshmit.
Ngase në komisione shqyrtohen ligje e strategji, jepen sugjerime e amandamente konkrete për politika që ndikojnë jetën tonë. E deputetët më të mirë janë ata deputetë që janë të specializuar në një fushë, ata deputetë që kanë punuar në sektorin privat para se të bëhen deputetë, ata deputetë që marrin mundin të lexojnë dokumentacionin që shqyrtohet.Andaj, pasnesër, për cilëndo parti që votoni, votoni ata deputetë të cilët së paku dijnë me shkru, ata deputetë që e kanë dëshmu profesionalizmin e tyre në fusha tjera para se ti hyjnë politikës, votoni gratë deputetet ngase gjasat janë më të mëdha se ato kanë kalu qindra barriera para se të hyjnë në listë për deputete, janë më përgjegjëse në punën që u besohet.Mos i votoni demagogët e ‘gjithologët’, specializimi i vetëm i të cilëve është largësia e pështymës që e gjuajnë kur bërtasin në studio televizive, tubime e seanca të Kuvendit.