Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arton Demhasaj, për FrontOnline ka komentuar marrëdhëniet e dobëta ndërmjet Presidencës dhe Qeverisë, duke potencuar ftohjen e raporteve dhe sipas tij, kjo ka ndikuar në mënyrën e trajtimit të çështjeve të rëndësishme, si ato që lidhen me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Unë mendoj se kjo tregon se ka mungesë të theksuar mes Presidencës dhe Qeverisë, pra kanë komunikim të dobët, për një çështje shumë të rëndësishme për raportet me SHBA-në.” tha ai.
Ai ka theksuar se kërkesa e Presidentes Vjosa Osmani është e drejtë, por ka bërë një vërejtje në lidhje me mënyrën e formulimit të saj.
“Mendoj se Presidentja ka të drejtë në kërkesën e saj, por ajo kërkesë nuk duhet bërë përmes rrjeteve sociale, por kanaleve zyrtare,” ka thënë Demhasaj, duke sugjeruar që komunikimi mes institucioneve të bëhet përmes kanaleve zyrtare.
Për më tepër, Demhasaj ka kritikuar deputetët e Listës GUXO për mungesën e reagimit ndaj situatës, duke thënë se heshtja e tyre tregon se ata kanë rënë nën ndikimin e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
“Mos reagimi i anëtarëve të Listës Guxo është tregues se ata kanë rënë nën kthetrat e VV-së dhe janë nën ndikim të kryeministrit Kurti,” ka përfunduar ai.