Analisti politik, Arton Demhasaj, për FrontOnline, ka shprehur dyshime të forta mbi mundësinë që ky draft-statuti i Asociacionit të Komunave Serbe të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se gjasat që kjo Qeveri ta dorëzojë draftin në Kushtetuese janë minimale, madje ai ka vlerësuar se ato mund të mos ekzistojnë fare.
‘’Gjasat që kjo Qeveri me dërgu draft-stautin në Gjykatën Kushtetuse, janë minimale, mos me thënë se nuk ekzistojnë fare.’’ Deklaroj ai.
Sipas Demhasajt, Qeveria e Kosovës ka pasur mundësinë dhe kohën për ta bërë këtë hap në periudha të mëparshme, sidomos gjatë kohës kur kërkesa nga partnerët ndërkombëtarë mund të kishte mundësuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Megjithatë, ai thekson se lojërat dhe kalkulimet politike kanë bllokuar këtë mundësi, duke i humbur shansin Kosovës që të bëhej pjesë e KiE.
‘’ Kjo Qeveri e ka pasur momentumin, e ka pasur kohën për mos me thënë kohën kur është kërkuar nga partnerët ndërkombëtar e që Kosova kishte mundur të bëhej pjesë e Këshillit të Evropës, por lojërat politike dhe kalkulimet politike e kanë humbur atë shans dhe sot Kosova është jashtë KiE dhe me pritë tash që ai draft me u dërguar në Kushtetuese pa pasur asnjë përfitim, gjasat janë minimale’’ shprehet analisti politik për FrontOnline.
Demhasaj shton se, aktualisht, Kosova ndodhet në një periudhë fushate zgjedhore, dhe kjo mund të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen e Qeverisë. Ai gjithashtu i referohet deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili më parë e mbrojti këtë draft, por më pas ka ndryshuar qëndrim ndaj tij. Sipas analistit, këto rrethana e bëjnë shumë të pamundur që ky draft të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese me këtë qeveri.
‘’Kosova është në fushatë zgjedhore dhe kjo mund të ndikojë edhe në votë dhe për këtë kjo Qeveri nuk e ka dërguar në Kushtetuese edhe pse Kurti e ka mbrojtur vetë këtë draft e më pas ka dalur kundër tij, por gjasat janë minimale dhe nuk pres që ky draft të shkoj në Kushtetuese me këtë qeveri’’ deklaroj analisti politik./FrontOnline/
Shumë kërkesa e pak pritje që drafti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese – FrontOnline