Anëtari përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Frashër Demaj, e ka komentuar përzgjedhjen e Lumir Abdixhikut – kryetar të kësaj partie politike.
Demaj tha se zgjedhja e kryetarit të LDK-së, erdhi si pasojë e rënies së madhe që pati kjo parti në zgjedhjet e fundit.
“Kuvendarët e LDK-së, dje në një garë shumë demokratike votuan që Abdixhiku të jetë kryetar i partisë. Shumë gojëkëqinj dje janë zhgënjyer sepse kanë pritur që kuvendi zgjedhor i LDK-së nuk do të shkojë mbarë, nuk do të ketë incidentet, madje iu kanë paraprirë incidenteve, edhe oponentë politike dhe të tjerë që kanë pasur interesa që punët të mos shkojnë mbarë në LDK”, tha Demaj në Sytë 7 në Klan Kosova.
“Duke qenë që Abdixhiku është ekonomist, e para që duhet të bëjë është menaxhimi i LDK-së, dhe pastaj faza e parë, ai duhet të tregojë lidership. Mbi bazën e faktit dhe qëndrimet e tij të djeshme, jam i bindur që e ka marrë me seriozitet këtë punë. Fakti që dje u konstitua edhe këshilli i përgjithshëm me një gjithëpërfshirje edhe rajonale por edhe kadrovike, dhe me disa vendime që u morën dje, siç ishte respekti për kryetarët paraprakë të partisë, nënkupton që Abdixhiku e ka shtruar çështjen me shumë seriozitet. Do ta ndërtojë një ekip të mirë, me synime të qarta, me synim kryesor që LDK të rikthehet në ato pozicione ku ka bërë garë gjithmonë për vendin e parë dhe partinë më të madhe. Nuk do ta ketë të lehtë, sepse ka nevojë për shumë punë”, tha ai.