Sipas një sondazhi të televizionit CNN, kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ishte më i mirë në debatin e së enjtes mbrëma sesa rivali i tij, Donald Trump.
Në përgjithësi, 53 për qind e votuesve që e shikuan debatin thanë se Bideni ishte më i mirë, ndërsa 39 për qind thanë se presidenti i tanishëm dhe kandidati republikan, Donald Trump, ishte debatues më i suksesshëm.
Një pjesë e madhe e shikuesve apo 73 për qind e pjesëmarrësve në sondazh thanë se kritikat e Bidenit ndaj Trumpit ishin shumë të drejta, ndërsa vetëm 26 për qind menduan se kritikat e ish-nënpresidentit ishin të padrejta. Për më tepër, 50 për qind thanë se sulmet e Trumpit ndaj Bidenit ishin të drejta, ndërsa 49 për qind thanë se ato ishin të padrejta.
Rezultati i anketës më të re është më i mirë për Trumpin në krahasim me sondazhin e kaluar të këtij televizioni, kur vetëm 28 për qind e pjesëmarrësve kishin thënë se Trumpi e ka fituar debatin e parë dhe 67 për qind kishin thënë se kritikat e tij ndaj Bidenit ishin të padrejta.
Shumica e shikuesve të debatit e parapëlqejnë Trumpin më shumë sesa Bidenin, kur është fjala për menagjimin e ekonomisë (56 me 44 për qind), ndërsa pak më shumë e parapëlqejnë Bidenin për president, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme (50 me 48 për qind).
Joe Biden pati përkrahje shumë më të madhe se Trumpi sa u përket tri çështjeve tjera, menagjimin e pandemisë (57 me 41 për qind), ndryshimet klimatike (67 me 29 për qind) dhe trajtimin e pabarazisë racore (62 me 35 për qind).