×
  • Opinione
  • Opinione

    Dekorata për mbrojtjen e krimeve

    FrontOnline
    14 Maj 2021

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, të dielën e kaluar, me 9 maj, në Beograd, ia dha Peter Handkes, shkrimtarit të njohur austriak, Dekoratën e Yllit të Karagjorgjes të shkallës së parë.

    Në arsyetimin e tij për këtë Vendim të autoriteteve më të larta të Serbisë, Vučić, pos tjerash përmendi kontributin e Handkes për popullin dhe për shtetin e Serbisë, dhe për të vërtetën e tij.

    Para se të merr këtë Çmim në Beograd, Hadke fitoi edhe Dekoratën e Republika Srpska-s në Banjallukë, pak a shumë me po të njejtin arsyetim (për meritat e tij për popullin serb dhe për Republika Srpska-n).

    Siç dihet, Handke është laureat i Çmimit Nobel për letërsi, në vitin 2019.

    Ky vendim i Komitetit suedez të Nobelit u përcoll me reagime të shumta për shkak të rolit të njohur që Handke ka pasur, në vitet e nëntëdhjeta, gjatë luftërave të përgjakshme në hapësirat e ish-RSFJ-së  (prej Sllovenisë dhe Kroacisë, deri në Bosnjë dhe Hercegovinë e Kosovë), në mbrojtje të politikës së Slobodan Miloševićit.

    Handke njihet si përkrahës i flaktë i Miloševićit, madje, duke mbajtur edhe fjalim në varrimin e tij, pas vdekjes në qelinë e burgut të Scheveningenit  (në Holandë), në muajin mars të vitit 2006, teksa përballej me Gjykimin për krime të luftës të bëra në Kosovë, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kroaci.

    Handke shquhet si mohues i këtyre krimeve për të cilat gjykohej Milošević në Tribunalin e Hagës për krime të luftës.

    Sidoqoftë, Handke është një shkrimtar, i cili si i tillë nuk mërzitet aspak për të gjitha dhimbjet që i ka shkaktuar, duke e mbrojtur një pushtet  (të Miloševićit) dhe një shtet  (Serbinë e kohës së Miloševićit) para viktimave të shumta të tij gjatë viteve të nëntëdhjeta.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, me Dekorimin që ia bëri Peter Handkes, me gjasë, deshi të ndërlidhë një Çmim që Handke ka marrë në letërsi  (atë më prestigjozin, Nobelin për letërsi), me Çmimin që Handke e mori për politikë dhe për të ’Vërtetën serbe’.

    Nobeli për Letërsi kështu u shfrytëzua prej Liderit të Serbisë si një ’Çek i bardhë’, i cili konfirmoi, tani përmes kësaj Dekorate, që Handke ka përhapur në të katër anët e Botës një të vërtetë të mohuar, thuaja në të katër anët e Rruzullit Tokësor.

    Nobeli për Letërsi i ipet një autori për veprën e tij të deritashme artistike.

    Dekoratat e këtij lloji, çfarë ishte kjo e Aleksandar Vučićit për Peter Handken, jepen për meritat shumë të veçanta për një popull dhe për një shtet, në të kaluarën.

    Megjithatë, në këtë rastin konkret, Dekorimi i Handkes është një ogur i keq për zhvillimet tash e tutje (në të ardhmen pra) në këto anë të Ballkanit, dhe për atë synimin e njohur të Bashkimit Evropian që kjo anë e Evropës të bëhet me të gjithat  (në politikë, në ekonomi, në kulturë, në qytetërim), pjesë e një Qytetërimi Evropian dhe Perëndimor, ashtuqë më pas edhe të integrohet në BE.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, në vitet e kaluara të pushtetit të tij  (ai realisht është në krye të Serbisë që nga viti 2012-të), është përpjekur shumë që të shfaqë shenja të një diskontinuiteti me politikën dhe historinë e Slobodan Miloševićit, pjesë e të së cilës realisht ka qenë edhe vet ai, duke ushtruar detyrën e Ministrit për Informim në Qeverinë e Serbisë, në vitet e luftës në Kosovë. Zatën, për këtë shkak ai edhe vizitoi Srebrenicën  (vendin e krimit më të madh në Evropën e pas vitit 1945, apo pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore), në vitin 2015, teksa ai poashtu u shpreh i gatshëm ta bëjë një Marrëveshje politike për normalizimin e marrëdhënive me Kosovën. Gjithashtu, ai ka përsëritur shpesh që është interes jetik i Serbisë që sa më parë që është e mundur të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

    Dekorimi i Handkes, i cili ka qenë dhe mbetet përkrahës i parezervë i politikës, i ‘jetës dhe veprës’ së Slobodan Miloševićit, nuk ka si të mos të shihet si një ri-vendosje e kësaj vazhdimësie politike të pushtetit të sotëm të Serbisë, me atë që ka hisen vendimtare në të gjitha tragjeditë e mëdha të cilan kanë goditur popujt e katër ish-njësive federale të RSFJ-së, para se të gjithash, popujt e Kosovës dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Handke si i tillë, me të ‘vërtetën’ e tij, të huazuar nga regjimi i Slobodan Miloševićit, paraqet një greminë politike dhe morale që realisht ndanë interesat e Serbisë, dhe të gjithë rajonit për tu bërë pjesë përbërëse e Evropës dhe e BE-së.

    Handke është një ’Busollë ç’orientuese’, politike, morale dhe intelektuale, e jo një tregues për drejtimin që Serbia duhet ta ketë.

    Nuk ka dhe nuk mund të ketë kurfarë ’bashkëjetese’ në mes të të vërtetave të mirëfillta të Epokës së Slobodan Miloševićit, në mes të kësaj historie të rëndë, tragjike dhe të dhimbshme të viteve të nëntëdhjeta, gjurmët e të së cilës janë ende të pranishme këndejpari  (pos tjerash, edhe me mungesën e drejtësisë për të gjitha krimet e bëra këndejpari), gënjeshtrave dhe mashtrimeve të Peter Handkes, (të cilat madje u dekoruan tani nga ana e Aleksandar Vučić, President i Serbisë), dhe vlerave politike dhe kulturore të Qytetërimit Evropian dhe Perëndimor.

    Me veprime të këtilla nuk ecet kah Evropa. Këto (veprime), e shfaqin atë Qorrsokakun klasik ballkanik. Me autorësi të qartë të Beogradit zyrtar.

    Nga Rubrika
    Opinione27 Dhjetor 2024
    Nga: Richard Waters / The Financial Times Në vitin 2024, nuk pati asgjë të re në fushën e inteligjencës artificiale [IA] që...
    Opinione26 Dhjetor 2024
    Shkruan: Lutfi Dervishi Meqë po vjen fundi i vitit dhe ti je i vetmi që mban ende premtime në këtë nahinë tonë,...
    Opinione25 Dhjetor 2024
    Shkruan: Ben Andoni Nuk mund të mohohet se Partia Demokratike ka realizuar edhe protesta të mëdha, sa i përket pjesëmarrjes së publikut....
    Të tjera
    Bota/Rajoni28 Dhjetor 2024
    Në Tiranë SPAK-u bëri të ditur të premten se në lidhje me hetimet që kanë përfshirë kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Komuna e Shtimes sot mban ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të objektit të ri të komunës. Në këtë ceremoni merr pjesë dhe...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës sot organizon edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve. Në hapje, të pranishmëve do t’u...
    Lajme28 Dhjetor 2024
    Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot i vranët por me intervale me diell. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të...
    Vip28 Dhjetor 2024
    Opionionisti i Big Brother VIP Kosova, Milaim Zeka, ka mbështetur Vullnetin pas deklarimit të orientimit të tij seksual. Zeka, mes tjerash, i...
    Bota/Rajoni27 Dhjetor 2024
    Zotimi i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të sjellë ndryshime në qeverinë amerikane, nënkupton edhe reformimin e njërës prej agjencive kryesore...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.