Manipulimet dhe kurdisjet eventuale në futbollin e Kosovës kanë qenë tema kryesore e ditëve të fundit.
Në lidhje me një fenomen të tillë ka folur ditë më parë edhe ish-portieri Granit Kolshi, shkruan FrontOnline.
Kolshi që ka mbrojtur për disa skuadra në Kosovë, e ka pranuar se ka kurdisje të ndeshjeve në futbollin vendor.
“Llapi, Drita, Prishtina i kanë bërë kalkulimet kryesore se cila me qenë në Evropë”, tha të dielën Kolshi në “Sporti Total”.
“Skuadra e cila është më së keqti është Ballkani. Prishtina në Llap dhe kjo ndeshje është 80% e kurdisur. Prishtina do mbetet në vendin e dytë, Drita kampion dhe Llapi në Evropë”, tregoi ai.
Këto deklarata të Kolshit duket se nuk i kanë pëlqyer dikujt aspak.
Në rrjetin social “Facebook”, Kolshi që sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shkruar se ka marrë kërcënime.
“Mua nuk më frikësojnë kërcënimet, më rrisin forcën për të qenë zë i fuqishëm ndaj çdo parregullësie”, shkroi Kolshi në “Facebook”./FrontOnline/