Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar pas deklaratave të ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit në një intervistë për BBC.
Musliu tha se deklaratat e Osmanit se Kosova është vend i krimit e korrupsionit janë të pritshme nëse dëgjohen nga Ana Brnabic por jo nga kandidatja për presidente të Kosovës.
“Kosova është vend i korruptuar dhe zhytur në krim” është e pritshme dhe e kuptueshme të degjohej nga Ana Brnabic, por të thuhet në BBC nga pretendentja për presidente të Kosovës, përveç që është marre përbën edhe skandal”, ka shkruar Musliu.
Osmani në një intervistë për BBC-në, ka thënë ndër të tjera se Kosova është vend i zhytur në krim dhe në korrupsion.
“Pritjet e të rinjve nuk janë përmbushur në shumë aspekte. Siç thashë, një nga problemet kryesore në vendin tonë është krimi dhe korrupsioni, që ne synojmë t’i ndalim përmes veprimeve konkrete në qeverinë e ardhshme, por njëkohësisht besoj se ka qenë rreth shembullit që do të vendoset nga udhëheqësia e këtij vendi, pra ne do të udhëheqim me shembull, siç kemi dëshmuar viteve të kaluara se jemi të pakorruptueshëm, por njëkohësisht duke treguar se absolutisht nuk bëjmë kompromise me ata që korruptohen. Në këtë mënyrë, ne do të sjellim demokraci së pari për institucionet e Kosovës dhe së dyti duke u përqendruar në dy fusha kryesore, që janë shkollimi dhe vendet e punës për rininë duke u bazuar në meritokraci.”, ka deklaruar Osmani.