Televizioni shtetëror spanjoll, “La 1” ia shkroi me shkronja të vogël emrin Kosovës në transmetimin direkt të ndeshjes ndaj Spanjës mbrëmë.
Në lidhje me këtë veprim skandaloz të “La 1”, ka reaguar deputetja nga Katalonja, Miriam Nogueras, shkruan FrontOnline.
Në rrjetin social “Twitter”, ajo ka shkruar se partia e saj “Junts per Catalunya” është duke e organizuar një peticion për drejtorin e televizionit spanjoll të dëshmojë para kongresit rreth këtij veprimi.
Ajo gjithashtu tha se i pëlqeu apo jo qeverisë spanjolle, Kosova është e lirë dhe shtet i pavarur dhe duhet të trajtohet si e tillë.
“Duke pasur parasysh mbulimin e njëanshëm të lajmeve të ndeshjes së mbrëmjes, “Junts per Catalunya” po regjistron një peticion duke thirrur kryetarin e TV Publik Spanjoll për të dëshmuar përpara Kongresit. Pavarësisht nëse e pëlqen apo jo qeveria spanjolle, Kosova është një vend i lirë dhe i pavarur dhe duhet të trajtohet si i tillë”, ka shkruar ajo.
Për këtë deklaratë të deputetes katalanase ka reaguar edhe mediumi skandaloz serb, “Kurir.rs”.
Ky medium në titullin e artikullit shkruan: “Kaosi për shtetin e rremë të Kosovës. Spanjollët u grindën me njëri-tjetrin: Drejtori i televizionit duhet të mbajë përgjegjësi për mosrespektimin e mysafirëve”.
Ndryshe, Kosova u mund nga Spanja 3:1 në “La Cartuja” të Sevillës në kuadër të ciklit eliminator për Kupën e Botës “Katar 2022”./FrontOnline/