×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Debati i fundit para zgjedhjeve, detaje nga përballja Trump-Biden

    FrontOnline
    23 Tetor 2020

    Kandidati republikan, Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish-nënpresidenti Joe Biden, zhvilluan një debat të fortë të enjten, vetëm 12 ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

    Kandidati demokrat Joe Biden përsëriti akuzat e tij ndaj Presidentit Trump lidhur me reagimin ndaj pandemisë në debatin e dytë dhe të fundit mes dy kandidatëve për president. Biden po përpiqet të rrisë epërsinë ndërsa afrojnë zgjedhjet.

    “Kushdo që është përgjegjës për një numër kaq të madh vdekjesh nuk duhet të vazhdojë të jetë president i SHBA,” tha Biden. “Ky është i njëjti person që ju tha se do të zhdukej kur të vinin Pashkët. I njëjti person që ju tha të mos shqetësoheni, se do të marrë fund kur të vijë vera. Ne jemi tani në prag të një dimri të errët dhe ai nuk ka plane,” tha Biden.

    “Nuk di gjë që jemi në prag të një dimri të errët. Ne po e rihapim vendin. Kemi mësuar, e kemi studiuar dhe e kuptojmë këtë sëmundje,” u përgjigj Trump.

    Presidenti, i cili u tregua shumë më i përmbajturë se në debatin e parë në fund të shtatorit, kur në mënyrë të përsëritur ia preu fjalën Biden, mbrojti politikat e administratës së tij dhe tha se është kapërcyer faza më e rëndë e pandemisë.

    “Po e luftojmë, po e luftojmë fort. E kemi bërë kthesën. Po ikën,” tha ai. Trump gjithashtu akuzoi rivalin Biden se synon të mbyllë vendin dhe aktivitetin ekonomik në përgjigje të pandemisë nëse bëhet president.

    Debati i transmetuar në shkallë kombëtare, u zhvillua në Neshville të shtetit Tenesi dhe ishte mundësia e fundit për dy kandidatët për të dalë përballë njëri-tjetrit në përpjekje për të shpjeguar politikat e tyre dhe përgjigjen ndaj pandemisë që deri tani ka shkaktuar mbi 221 mijë viktima në SHBA dhe ka goditur rëndë ekonominë.

    “Ai do ta mbyllë vendin nëse një person i vetëm në këtë burokraci gjigande thotë se duhet mbyllur,” tha Trump.

    Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve kanë mendim negativ për përgjigjen e administratës ndaj pandemisë. Të enjten, një numër shtetesh të lëkundura, përfshirë Ohajon raportuan rritje ditore rekord në rastet me COVID-19, dëshmi se ritmet po rëndohen.

    Ish-nënpresidenti Biden fajësoi presidentin se nuk merr përgjegjësi për pandeminë.

    “Unë marr plotësisht përgjegjësi,” tha presidenti. “Nuk ishte faji im që na erdhi virusi këtu. Ishte faji i Kinës”.

    Presidenti Trump tha të enjten se prodhimi i një vaksine është pranë, duke shtuar se miratimi do të njoftohet “brenda javësh” por më pas pohoi se nuk është e garantuar. Pjesa më e madhe e ekspertëve, përfshirë në ekipin e administratës kundër koronavirusit, thonë se nuk ka gjasa që vaksina të jetë në përdorim deri në mes të vitit 2021.

    Akuza për lidhje të dyshimta me aktorë të huaj

    Pas debatit mbi pandeminë, dy kandidatët u përplasën lidhur me akuza të ndërsjellta për lidhje të dyshimta me interesa të huaja. Një pyetje lidhur me ndërhyrje nga jashtë në procesin zgjedhor amerikan shumë shpejt nxiti akuza personale, pasi Presidenti Trump akuzoi djalin e Biden, Hunter Biden për kontrata biznesi të parregullta me Kinën dhe Ukrainën. Një hetim i zhvilluar nga Komisioni i Senatit për Zbulimin, nën udhëheqje republikane, nuk zbuloi prova që i mbështesin këto akuza.

    Biden tha se asnjëherë nuk ka marrë “një qindarkë të vetme” nga një vend tjetër, para se të kthehej nga presidenti duke e akuzuar se po përpiqej t’ua shpërqëndronte vëmendjen amerikanëve.

    “Ai i nxjerr këto broçkulla me një qëllim të caktuar. Nuk e bën për të sulmuar familjen time. E bën për të dëmtuar familjet tuaja,” tha Biden duke shtuar se presidenti do të largojë vëmendjen nga përgjegjësia për pandeminë.

    Siguria e Zgjedhjeve; Taksat dhe Dokumentat Fiskale të Presidentit

    Biden foli për refuzimin nga presidenti për të nxjerrë dokumentacionin fiskal të bizneseve të tij. “Nxirr dokumente për taksat që ke paguar, ose mos fol më për korrupsion,” tha kandidati demokrat.

    Presidenti u përgjigj duke akuzuar agjencinë amerikane të mbledhjes së taksave, IRS se “më trajton shumë keq, në mënyrë shumë të padrejtë”.

    Kandidatët shkëmbyen akuza edhe për kujdesin shëndetësor, politikat ndaj Kinës dhe, pas protestave që vazhdojnë prej muajsh, për marrëdhëniet racore në vend. Biden tha se Trump ishte “një ndër presidentët më racistë” në historinë e vendit.

    “Ai i hedh benzinë çdo zjarri racist,” tha Biden.

    Presidenti Trump u përgjigj duke kritikuar ligjin e sponsorizuar nga Biden kur ishte senator në 1994 që solli si rezultat shtimin e ritmit të burgosjes së amerikanëve të pakicave racore. Trump shtoi se si president, ai kishte bërë më shumë për afrikano-amerikanët se çdo president tjetër “ndoshta” me përjashtim të Abraham Linkolnit në vitet 1860 (i cili çliroi skllevërit).

    “Unë arrita të miratoj ligjin për reforma në drejtësinë penale, të krijoj zona të mundësive ekonomike, u kujdesa për universitetet me shumicë afrikano-amerikane,” tha presidenti.

    Përplasjet për kujdesin shëndetësor

    Biden kritikoi përpjekjet e Presidentit Trump për të bindur Gjykatën e Lartë të anulonte Ligjin për Kujdesin Shëndetësor të miratuar gjatë administratës Obama, kur Biden ishte nënpresident.

    “Njerëzit meritojnë kujdes shëndetësor të përballueshëm. Kaq,” tha Biden duke nënvizuar se ligji ekzistues nuk u kishte lejuar kompanive t’u mohonin kujdes shëndetësor individëve me probleme ekzistuese shëndetësore.

    “Nuk ka rëndësi se sa mirë e administron, ai ligj nuk bën. Ne duam t’i japim fund. I anuluam mandatet individuale (që kërkojnë mbulim të deryrueshëm për të gjithë). Nëse nuk arrijmë fitore në gjyq, do ta mbajmë këtë ligj por do ta administrojmë më mirë,” tha presidenti.

    Trump tha se donte të zëvendësonte ligjin e miratuar gjatë administratës Obama me diëka “shumë më të mirë” që do të ofronte të njëjtat mbrojtje, megjithëse administrata e tij nuk ka propozuar ende një reformë gjithë-përfshirëse.

    Koreja e Veriut

    Pretendenti demokrat sulmoi politikat që ndoqi Presidenti Trump ndaj Koresë së Veriut. “Ai e legjitimizoi Korenë e Veriut. Ai fliste se e kishte mik të mirë (udhëheqësin Kim Jong Un), i cili është gangster. Ai ka thënë se jemi mirë tani që Koreja e Veriut është më e aftë të hedhë raketa që mund të arrijnë në territor amerikan,” tha Biden.

    Presidenti Trump u përgjigj duke nënvizuar përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve:

    “Fakti është që nuk jemi në luftë me Korenë e Veriut. Kemi një marrëdhënie të mirë,” tha Trump.

    Në sallën e debatit kishte rreth 200 pjesëmarrës të cilët para se të futeshin në sallë ishin kontrolluar për të garantuar që nuk kishin temperaturë. Të gjithë ishin të detyruar të mbanin maskë gjatë gjithë kohës./VOA

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni15 Nëntor 2024
    Një mjek nigerian me pasion për artin, ka thyer rekordin botëror Guinness duke krijuar një vizatim gjigant prej 1,003.9 metra katrorë, që...
    Bota/Rajoni15 Nëntor 2024
    Parlamenti Evropian ka zgjedhur sot eurodeputetin estonez Riho Terras në pozitën e raportuesit për Kosovën, shkruan “euronews.rs”. Terras që do të pasojë...
    Bota/Rajoni15 Nëntor 2024
    Në 24 orët e fundit, Donald Trump ka shpallur disa zgjedhje të tjera për administratën e tij të re. Kush janë rekrutët...
    Të tjera
    Lajme15 Nëntor 2024
    Një person i nacionalitetit serb është arrestuar sot në veri të Mitrovicës. Kështu ka bërë të ditur për Front Online zëvendësdrejtori i...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Pas një debati disa-ditor, ministria e drejtuar nga Arbërie Nagavci, ka vendosur t’i largojë nga përdorimi doracakët për edukatën seksuale për t’i...
    Vip15 Nëntor 2024
    Mbrëmë në emisionin e Arbana Osmanit, Ledri Vula konfirmoj ndarjen nga blogerja Sara Hoxha, madje artisti tregoi dhe arsyen. Pas kësaj deklarate,...
    Sport15 Nëntor 2024
    Federata e Futbollit e Kosovës ka dalë me një njoftim për tifozët që kanë siguruar bileta për ndeshjen e sontme, Rumani-Kosovë. Federata...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi Edward Ferguson tha se ambasada e tij punon intensivisht me komunitetet pakicë që jetojnë në...
    Lajme15 Nëntor 2024
    Në varrezat e fshatit Jashanicë sot iu dha lamtumira e fundit Albison dhe Rexhep Slivovës, dy të rinjve që u vranë të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.