×
  • Opinione
  • Opinione

    Deanonimizohen kriminelët

    Flutura Kusari
    05 Mars 2025

    Shkruan: Flutura Kusari për Sbunker

    Nga tani e tutje gjykatat do të publikojnë të plota (duke përfshirë edhe versionin online) vendimet gjyqësore penale, duke ndryshuar kështu një praktikë të gabuar që mbronte identitetin e kriminelëve nëpërmjet anonimizimit të emrave dhe mbiemrave të tyre. Ky hap është vazhdimësi e një sërë veprimesh që Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka ndërmarrë – si asnjëherë më parë – për të hapur sistemin gjyqësor ndaj publikut.
    Emrat dhe mbiemrat e njerëzve të dënuar për korrupsion, vrasje ose krime tjera më nuk do të anonimizohen në aktgjykimet që i shpallin ata fajtorë për krimet që kanë bërë.

    Kështu ka vendosur Këshillit Gjyqësor i Kosovës (KGjK-së), trupi që është përgjegjës për organizimin dhe funksionimin e gjykatave, me anë të Udhëzimit për publikimin e vendimeve gjyqësore 2025, të miratuar në mbledhjen 343, më 28 shkurt 2024.

    Vendimi i KGjK-së për të miratuar këtë udhëzim dhe për të hapur edhe më shumë sistemin gjyqësor nëpërmjet procesit të deanonimizimit të vendimeve gjyqësore, është i mirëseardhur dhe me domethënie historike në fushën e rritjes së transparencës së sistemit gjyqësor të Kosovës.

    Fillimisht, vendimi korrekton një vendim të gabuar të KGjK-së të vitit 2016 për anonimizimin e të gjitha vendimeve gjyqësore (civile dhe penale), vendim ky që kishte ndikuar në uljen e transparencës së sistemit gjyqësor. Po ashtu, vendimi kishte bërë që gjykatat të duken joprofesionale, pasi që një pjesë e madhe e aktgjykimeve asnjëherë nuk janë anonimizuar tërësisht dhe palët lehtësisht kanë mundur të identifikohen (lexo këtu analizën e vendimit të kaluar).

    Vendimi për të publikuar emrat dhe mbiemrat e personave të dënuar, përveç që është obligim ligjor sipas legjislacionit penal në fuqi, është në interes të publikut pasi mundëson informimin për kryerësit e krimeve dhe dënimet ndaj tyre. Gjykimi dhe dënimi i kriminelëve që rrezikojnë shoqërinë nuk duhet të zhvillohet si një proces abstrakt ku nga vendimet gjyqësore të publikuara online nuk mund të kuptohen as informacionet bazike siç është, për shembull, informacioni se për kë është zhvilluar procesi gjyqësor dhe nëse personi është shpallur fajtor ose jo.

    Arsye tjetër përse ky udhëzim ka rëndësi të madhe është se anonimizimi i aktgjykimit dekurajon raportimin e vendimeve gjyqësore ose hulumtimin e tyre (qoftë për nevoja të monitorimit, akademike ose të tjera), meqenëse aktgjykimet pas anonimizimit janë aq të pakuptueshme, sa kërkohen përpjekje madhore për të kuptuar rrethanat e rastit apo arsyeshmërinë e dhënë nga gjykatat. Publikimi me emra dhe mbiemra do ta bëjë më të lehtë gjetjen e aktgjykimeve online dhe leximin e tyre dhe do të kontribuojë në rritjen e monitorimit të sistemit gjyqësor nga ana e mediave, aktivistëve, hulumtuesve dhe organizatave joqeveritare.

    Publikimi i vendimeve gjyqësore penale me emra dhe mbiemra të personave të dënuar është në linjë të plotë më mënyrën aktuale të organizimit të gjykimeve penale, ku seancat gjyqësore, edhe ato ku shpallen aktgjykimet, janë të hapura për publikun dhe për mediat deri në atë masë sa mund të transmetohen edhe live në televizione ose online. Përderisa emrat e personave të akuzuar për krime bëhen publikë përgjatë zhvillimit të gjykimit, është e pakuptimtë që në fund të procesit, pasi ata emra të jenë bërë të njohur për publikun, të anonimizohen.

    Megjithatë, të dënuarit gëzojnë të drejta siç është e drejta e privatësisë dhe e drejta për t’u risocializuar në shoqëri pas kryerjes së dënimit. Draftuesit e udhëzimit kanë paraparë të drejtën e personave të dënuar që të largojnë të dhënat e tyre online, e njohur si “e drejta për t’u harruar”, ashtu që në momentin kur dënimi fshihet nga evidenca penale, aktgjykimi do largohet nga faqja e internetit e gjykatës përkatëse. Kjo metodë balancon në mënyrë të drejtë nevojën për transparencë dhe të drejtën e privatësisë së të dënuarve pas kryerjes së dënimit. E drejta për t’u harruar është e drejtë bashkëkohore ligjore që u mundëson individëve të kërkojnë heqjen e të dhënave të tyre personale nga platformat online, motorët e kërkimit (search engine) ose nga bazat e të dhënave, veçanërisht kur të dhënat janë të vjetruara, jorelevante ose i shkaktojnë dëm individit.

    Kur mund të publikohen të plota vendimet gjyqësore civile dhe administrative?

    Të gjitha vendimet gjyqësore civile dhe administrative, ku palë janë personat juridikë dhe institucionet publike, do të publikohen të plota dhe pa anonimizim. Nëse në të njëjtin aktgjykim përmenden edhe emra të personave fizikë ata do të anonimizohen.

    Një vendim i tillë i KGjK-së është i drejtë për shkak se në gjykimet e fushës civile ka raste të shumta ku ka pak ose fare interes të publikut që të kuptojë identitetin e plotë të palëve si për shembull rastet rreth ndarjes së pronës në mes të personave fizikë privatë.

    Megjithatë, udhëzimi lë hapësirë që vendimet gjyqësore civile dhe administrative të publikohen pa anonimizim për shkak të interesit publik. Për të ndodhur diçka e tillë duhet të përmbushet njëri nga këto kritere: publikimi i vendimeve kontribuon në çështje me interes publik, pala e përfshirë është figurë politike ose publike, si dhe çështja ka të bëjë me shpenzimin e parasë publike.

    Një gjë e tillë nuk ka qenë e paraparë më herët dhe tani është krijuar mundësia që vendimet gjyqësore civile apo administrative të publikohen pa anonimizim kur gjyqtari i çështjes konsideron që ka interes të përgjithshëm për t’i publikuar ato.

    Mund të argumentohet që ekziston interes publik i lartë i publikimit të vendimeve gjyqësore civile të plota pa anonimizim në rastet që ndërlidhen me mbrojtjen e reputacionit nga shpifja përmes mediave. Aktualisht, Gjykata Themelore në Prishtinë ka qindra raste të shpifjes në punë. Vetëm vitin e kaluar janë ushtruar më shumë se 110 padi për shpifje, një pjesë e konsiderueshme e të cilave përfshijnë media dhe figura publike. Aktgjykimet për shpifje që përfshijnë media dhe figura publike – qoftë kur të paditurit shpallen shpifës ose jo – duhet të publikohen, për shkak se këto aktgjykime kanë rëndësi të lartë për lirinë e shprehjes. Publikimi i tyre do të mundësonte monitorim më të madh dhe më të lehtë të mënyrës së si gjykata i trajton këto lëndë dhe po ashtu do t’ia mundësonte publikut të kuptonte cilat media abuzojnë lirinë e shprehjes, duke ia dëmtuar reputacionin njerëzve që nuk e meritojnë t’u dëmtohet reputacioni.

    Rritja e transparencës së sistemit gjyqësor dhe mbrojtja nga ndikimi politik

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka ndërmarrë veprime të lavdërueshme që kanë rritur transparencën e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe që mund të shërbejnë si shembull për institucionet tjera.

    Arritja me e madhe është forcimi i transparencës dhe meritokracisë në përzgjedhjen e gjyqtarëve. KGjK-ja është përgjegjëse për rekrutimin e gjyqtarëve, të cilët pastaj dekretohen nga ana e Presidentes së Kosovës. Në katër vjetët e kaluar janë rekrutuar rreth 150 gjyqtarë në procese të ndryshme që janë zhvilluar nën monitorim të rreptë të organizatave joqeveritare dhe komunitetit ndërkombëtar në Kosovë. KGjK-ja, jo vetëm që ka qenë e hapur ndaj monitoruesve, por është siguruar që ata së fundmi të kenë qasje në aktivitetet parapërgatitore të rekrutimit (nga përgatitja e pyetjeve e deri te vlerësimi dhe intervistimi i kandidatëve), duke ua mundësuar atyre të krijojnë një vlerësim për procesin në tërësi. Megjithatë, praktika e Këshillit që të kërkojë nga monitoruesit e proceseve rekrutuese të nënshkruajnë deklarata për ruajtjen e konfidencialitetit meriton diskutim serioz për t’u siguruar që liria e shprehjes dhe roli i orgnizatave joqeveritare nuk kufizohet paarsyeshëm.

    Të gjitha mbledhjet e KGjK-së transmetohen live në kanalin e youtube të vetë institucionit dhe çdokush ka mundësi të ndjekë në kohë reale ose më pas, diskutimet dhe vendimet që merren aty.

    Këshilli është ndër të paktët, nëse jo i vetmi institucion publik në Kosovë, që me vetiniciativë ka vënë në dispozicion mbledhjet për publikun e gjerë nëpërmjet transmetimit live online. Kështu, secili anëtar i publikut ka mundësi që të monitorojë në vazhdimësi punën e Këshillit online ose duke shkuar fizikisht në zyrat e tij.

    Një anë tjetër pozitive e KGjK-së është organizimi i përvitshëm i ngjarjes “Ditët e Gjyqësorit”, ku gjyqtarët prezantojnë dhe ndajnë me publikun punët e tyre, por njëkohësisht ftojnë edhe përfaqësues të shoqërisë civile e aktivistë të cilët shfrytëzojnë pikërisht këto ngjarje të ndajnë përshtypjet e tyre, duke përfshirë kritikat e tyre, me përfaqësuesit më të lartë të sistemit gjyqësor (autorja e këtij blogu ka qenë e ftuar si folëse në vitin 2023).

    Të gjitha këto veprime konkrete që kanë shërbyer për rritjen e transparencës – transmetimi i mbledhjeve live online, organizimi i proceseve transparente të rekrutimit, zhvillimi i dialogut të vazhdueshëm me pushtetin e katërt, etj – duhet të shërbejnë si model i qasjes së hapur ndaj publikut dhe duhet të ndiqen nga institucionet tjera publike në vend.

    Rritja e transparencës në sistemin gjyqësor është bërë gjatë kohës sa KGjK-ja ka përbërjen aktuale të udhëhequr nga kryesuesi i saj Albert Zogaj. Ai dhe anëtarët e tjerë të Këshillit mbeten më meritorët për arritjet pozitive të viteve të fundit në pushtetin gjyqësor. Këshilli aktual do të mbahet në mend që ka lënë trashëgimi nisjen e luftës kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor, krijimin e gjeneratave të reja të gjykatësve profesionistë dhe me integritet dhe rritjen radikale të transparencës së sistemit gjyqësor.

    Ata po ashtu do të mbahen në mend si të vetmit që kanë guxuar të ngrenë zërin në mbrojtje të gjyqësorit kur ai sulmohej nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, duke kritikuar dhe ballafaquar përfaqësuesit e saj edhe në studio televizive dhe duke ia dëshmuar me punë politikës që vetingu i propozuar ishte i pamenduar mirë dhe i panevojshëm dhe se gjyqësori duhet të rregullohet fillishimisht përbrenda. Për këtë, “Koha” e kishte shpallur Zogajn si një ndër personalitet e viti 2021 dhe e kishte quajtur “Rebeli i Gjyqësorit”.

    Reformat në sistemin gjyqësor nuk kanë përfunduar dhe shqetësimi i shumë njerëzve mbetet nëse pas ndryshimit të përbërjes aktuale të KGjK-së, niveli aktual i transparencës dhe reformat do të mund të vazhdojnë.

    Nga Rubrika
    Opinione12 Prill 2025
    Nëse ShBA-ja arrin të bindë pjesën tjetër të botës që të mbyllë tregjet për Kinën, kjo mund të jetë rënia e Xi...
    Opinione11 Prill 2025
    Nga: Ditmir Bushati Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, njëkohësisht Zëvendëspresidente e Komisionit Europian, Kaja Kallas,...
    Opinione10 Prill 2025
    Burimi: The Guardian, Gordon Brown. Nëse duam të parandalojmë një recesion të panevojshëm global, na ka mbetur vetëm një dritare e ngushtë...
    Të tjera
    Sport12 Prill 2025
    Arsenali ka humbur terren të vlefshëm në garën për titull në Premier League, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 1:1...
    Lajme12 Prill 2025
    Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka lëshuar së fundmi një paralajmërim për qytetarët e saj për kërcënimin e terrorizmit në Austri. Sipas...
    Lajme12 Prill 2025
    Ish-presidenti Behgjet Pacolli e ka përgëzuar presidenten Vjosa Osmani për njohjen e Kosovës nga Sudani. Në një postim në Facebook, ai ka...
    Lajme12 Prill 2025
    Enver Hoxhaj, ish-ministër i Jashtëm, ka uruar dhe ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani për punën e saj që ka treguar, pasi Sudani...
    Lajme12 Prill 2025
    Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se njohja nga Sudani përbën edhe një hap drejt forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar...
    Lajme12 Prill 2025
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka mirëpritur njohjen e shtetit të Kosovës, nga Sudani. Ai thotë vlerëson ndër tjera lartë edhe...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.