Shorti i kualifikueseve të Botërorit, e ka vënë Shqipërinë sërish në short me Serbinë.
Kjo përballje na rikthen 10 vite pas, në një nga ndeshjet më të errëta të historisë së kombëtare shqiptare, atë të Beogradit më 14 tetor të vitit 2014-të, kur huliganët serbë pushtuan fushën e blertë dhe sulmuan lojtarët e kombëtares shqiptare.
Krejt kjo pasi futjes së dronit mbi stadium me flamurin “Autoktonus”.
Në atë kohë, kombëtarja drejtohej nga tekniku italian, Gianni de Biasi, pas së cilit rast, Shqipëria mori 3 pikë në tavolinë dhe arriti kualifikimin historik në një Evropian.
E sot, 10 vjet pas, de Biasi thotë se do të donte sërish të ishte në Beograd.
“O Zot…..nga ky këndvështrim ishte një short që nuk e prisja, pas asaj që na ka ndodhur, por nga një këndvështrim pozitiv është diçka e mirë pasi ne në ato eliminatore u kualifikuam në Evropian dhe Serbinë e lamë poshtë”.
“Ndeshjen e dytë vërtetë e humbëm në Elbasan, por ishin tifozët si puna jote që më bënë të besoja edhe unë më tepër sepse ishim në rregull me 0-0 dhe e mbaj mend që jam nxehur shumë dhe i kam bërtitur shumë lojtarëve. Gjithsesi shpresoj që të kualifikoheni edhe për Botërorin 2026. Dhe unë do të shkoja me gjithë qejf në Beograd…nëse më japin garanci për sigurinë”, është shprehur tekniku italian për Topchannel.
Ai thotë se përqendrimi i kombëtares shqiptare duhet të jetë tek të gjitha ndeshjet, dhe jo vetëm te ajo me Serbinë.
“Por nëse do të flasim specifikisht për këtë, kjo nuk është një ndeshje që kërkon ndonjë motivim të veçantë, përkundrazi, duhet përgatitur se si ta përballojmë kundërshtarin nga këndvështrimi tekniko taktik. Nga ana tjetër, duhen mbajtur nën kontroll të gjitha emocionet që e tejkalojnë fushën e futbollit”, deklaroi ai.
Ish-trajneri i Shqipërisë është i mendimit se grupi i Kuqezinjve ka “vetëm” tre skuadra – Anglinë, Shqipërinë dhe Serbinë. Kjo pasi, sipas tij, dy ekipet tjera janë shumë larg me kundërshtarët tjerë të grupit.
“Për hir të së vërtetës, përballja për kualifikim do të jetë vetëm mes dy ekipeve, Shqipërisë dhe Serbisë për vendin e dytë, pasi vendi i parë për mua është vendi i Anglisë. Të parashikosh se kush do të jetë përpara ka shumë elemente, koha që do të luhet ndeshja, si do të jetë gjendja e lojtarëve në atë periudhë, dhe gjëra si këto”, potencoi tekniku italian, Gianni de Biasi.