×
  • Lajme
  • Lajme

    Daut Qulangjiu: Ndonjëherë e dëgjoj ‘mos u bo si magjup’, çdo formë e racizmit dhe paragjykimit më bën të ndihem keq

    FrontOnline
    07 Dhjetor 2020

    Daut Qulangjiu shumë moti e ka nisur aktivizmin e tij për ta ndihmuar komunitetin rom në Kosovë. Sot 49 vjeçar, Dauti është një aktivist i pashoq, paçka se në fillimet e tij nuk e ka ditur këtë gjë, duke punuar thjeshtë për të qenë kreativ, për të qenë i vyer e i dëshmuar në punën e tij, për të nxjerrë në dritë jo vetëm dëshirat e tij por edhe të shokëve e shoqeve të komunitetit rom në Kosovë.

    Tash e 18 vjet, Qulangjiu është redaktor në redaksinë rome në Televizionin Publik të Kosovës, por rrugëtimi i tij deri në këtë pikë nuk ka qenë as i lehtë e as me mungesë dyshimi. Shumë herë e kanë përqeshur, atë dhe shpesh edhe familjarët e tij, por megjithatë një njeri me fokus suksesin dhe profesionalitetin, nuk e kishte në plan të ndalej veç shkaku i zilisë dhe ziliqarëve.

    Është e rëndësishme që sot Qulangjiu, bashkë me një ekip të tërë, përkujdeset ta sjellë komunitetin rom, problemet dhe përditshmërinë e komunitetit, më afër shikuesve dhe audiencës dhe atyre që krijojnë e implementojnë politika shtetërore.

    *

    “Televizioni i Prishtinës, para luftës në Kosovë, ka pasë program në gjuhëm rome, dhe ndoshta ka qenë ndër të vetmit në botë që ka pasur program televiziv në gjuhën rome, kjo i bie diku rreth vitit 1986. Asokohe ka pasë emisione javore, dhe normalisht që programi u ndërpre gjatë luftës. Më vonë, RTK filloi punën si televizion publik, fillimisht me program në gjuhën shqipe, serbe, në gjuhët turke e boshnjake, ndërsa programi në gjuhën rome mbeti si në ajër. Unë asokohe kam qenë gazetar në një radio në Prizren si dhe drejtor i Organizatës ‘Durmish Asllano’. E bëmë një kërkesë më pas që të rihapej në RTK redaksia e gjuhës rome, në vitin 2003, dhe pas donacioneve që i morrëm por edhe pas ndihmës e mbështetjes së Ibrahim Elshanit, projekti u aprovua dhe në vitin 2003 u shpall konkursi për të aplikuar për gazetarë, moderator, redaktor si dhe një kameraman nga komuniteti”.

    Qulangjiu më tregon kësisoj se si pas luftës në Kosovë, në një periudhë ngacmuese për komunitetin rom, u arrit që gjuha rome të jetë pjesë e RTK-së.

    Zyra zvicerane, atëbotë, bashkë me RTK-në fillua bashkëpunimin për redaksinë e gjuhës rome dhe programi nisi të transmetohej edhe në radio, edhe në televizion. Gjuha rome, kjo gjuhë e shtypur e nëpërkëmbur edhe nga shoqëritë më të civilizuara të botës, po frymonte bukur edhe në Kosovë, prapë, e ringjallur.

    “Në atë kohë asnjëri nuk e kishim të përfunduar fakultetin për gazetari, prandaj emisionin e parë e punuam me ndihmën e redaktorit përgjegjës për programin e minoriteteve – Sylejman Shaqirin, dhe shumë shpejtë hymë në rrjedha të televizionit. Emisionin e dytë e përpilova vet, stafi u profesionalizua, unë e përfundova edhe Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Sot, të gjithë stafin e kam me arsim akademik, dhe është një staf i kompletuar dhe me shumë profesionalizëm” tregon tutje Qulangjiu.

    Qysh në shkollën fillore, në Prizren, Qulangjiu do ta kanalizonte energjinë e një djali të ri në forma të ndryshme: ai ishte pjesë e grupit folklorik të shkollës, ishte edhe në korin e shkollës, dhe më vonë u bë edhe pjesë e Shoqërisë Kulturore Artistike ‘Agimi’ në Prizren. Koreografi Alajdin Bojaxhiu do ta ftonte Qulangjiun të bëhej edhe asistent i tij, anipse ky ishte rom dhe kjo do të mund të acaronte gjakërat e racistëve përreth.

    “Në atë kohë nuk e kemi ndjerë diskriminimin apo racizmin. Unë kam qenë pjesë e trupës për një kohë të gjatë, dhe e kam udhëheqë grupin me 30 persona, kam qenë në vijat e para. Ne kemi shku në Shqipëri në kohën kur shumica e kosovarëve nuk kanë guxu me kalu në Shqipëri. Ka pasë gjithmonë rrezik në atë kohë, sepse kur jemi kthy këtu kemi pasë frikë mos po na marrin në pyetje. Kemi qenë në këtë trupë unë edhe një tjetër rom, Gazmend Dervishi, dhe para syve tanë nuk e di që kemi dëgju ndonjë të sharë, së paku para neve nuk është ekspozu racizmi. E di që koreografi në atë kohë ka marrë kritika se pse këta dy romë janë kaq përpara në vallet dhe koreografitë që i vallëzonim, megjithatë kam dëgju prej të tjerëve që koreografi ka qenë fleksibil dhe ka thënë – E di unë si veproj, i di unë punët e mia. Më vonë mu bë ftesa të vazhdoj në ansambël por u rrita dhe nuk kisha kohë sepse kisha angazhime tjera. E vazhdova punën në teatër” rrëfen Qulangjiu, i cili çdo ditë udhëton nga Prizreni në Prishtinë, dhe si një burrë me principe dhe i saktë, nuk përton të na sjellë tregimin e tij mahnitës.

    Në Prizren, në vitin 1992, Qulangjiu bashkë me të tjerë aktivistë e themelojnë teatrin amator rom, i cili funksionon ende. Këtu duket se është zanafilla e aktivizmit mrekullues të këtij burri me qëndrim unik e profesional, me një karizmë dhe artikulim për lakmi të mendimeve të tij të kthjellta, mbi të gjitha të pastra. Meqë jemi te teatri dhe drama, Qulangjiu bashkë me kolegë ishte pjesë e ekipit që e realizoi dramën e parë në gjuhën rome, në Kosovën e pasluftës.

    Edhe për Qulangjiun, si për çdo njeri që jetonte në Kosovë në kohën kur shpërtheu lufta, realiteti ishte i hidhur dhe duhej menduar një zgjidhje edhe brenda kushteve e mundësive të kufizuara.

    “Isha i ri dhe mendoja me dalë dikah, gjenerata ime në përgjithësi menojshin me dalë jashtë Kosovës. Erdhi koha e sanksioneve dhe nuk kishim mundësi me dalë edhe lehtë prej Kosovës, e u duk sikur për një kohë u bllokova këtu në Kosovë. Kam punu edhe si moler, bashkë me prindin, kemi punuar çfarëdo pune. Vendosa të dal prej Kosovës, kisha gruan dhe djalin me vete. Dëgjova që në atë rreshtin rrugës për Shqipëri, po ktheheshin prapa të gjithë pjesëtarët e komunitetit rom. Na hyri një frikë, dhe u mundova që përmes kanaleve tjera me gjetë kohën e përshtatshme për me ikë. Ishte një autobus që të çonte për Beograd, e di që unë dhe shoqja kemi pagu 220 marka asokohe biletën, për të ikur për në Gjermani. Unë kisha familje në Gjermani, dhe ata kishin përgatitur një shumë të parave që do ta paguanin nëse do të arrija të dilja andej. Me atë pretendim u nisa për në Beograd por kur dëgjova se atyre ditëve ishte fundosë një barkë në Mal të Zi, e cila po bartte emigrantë, vendosa që të kthehesha përfundimisht në Kosovë. Më pas edhe UÇK ishte aktive dhe kësisoj nuk përfundova jashtë Kosovës, mbeta këtu” tregon Qulangjiu.

    Dauti nuk e zvogëlon faktin se lufta e fundit në Kosovë ishte një kthesë e madhe për racizmin në Kosovë, meqë po në këtë pikë sikur u shtua racizmi dhe paragjykimi i shumicës shqiptare ndaj komunitetit rom, për arsyet tanimë të ditura dhe të dhimbshme.

    “Situata ishte e keqe pas luftës, sepse komuniteti rom në atë kohë ishte etiketu si bashkëpunëtor me ish regjimin. Kur të ulemi e ta mendojmë më detajisht këtë punë, si mundet një komunitet që ka qenë vazhdimisht i segreguar, i diskriminuar, me qenë bashkëpunëtor? Nëse kanë bashkëpunu individë, kjo nuk do të thotë që i gjithë komuniteti ka bashkëpunu. Në atë kohë, serbët nuk kanë pasë besim në komunitetin tonë. Unë nuk kam pasë frikë sepse do ta tregoja të vërtetën, çka kam punuar para luftës. Nëse dikush ka punuar për një kafshatë goje, kjo nuk do të thotë patjetër bashkëpunim me ish regjimin, por një mbijetesë. Nuk e kisha frikë ballafaqimin sepse e dija saktë kush isha si njeri. Bashkëpunimi gjithmonë është mendu në aspektin kriminal, dhe unë nuk po them që nuk ka pasë njerëz prej komunitetit rom që nuk kanë bërë gjeste të tilla, por ata janë individë që duhet të gjykohen. Prej që punoj në televizion, e kam marrë edhe si detyrë që ta mbroj komunitetin tim dhe t’i tregojmë kësisoj shumicës se jemi pjesë e Kosovës, jetojmë dhe kemi jetu edhe ma herët në Kosovë, nuk jemi bashkëpunëtorë të regjimeve iks-ypsilon. Kjo ka qenë ideja prej fillimit, ta përçojmë një informatë të tillë” vazhdon Qulangjiu.

    *

    “Çdo punë i ka rreziqet dhe sakrificat e veta. Pas luftës, ishte zymtësi, e dinim që në Prishtinë nuk ka shumë romë dhe një pjesë e mirë edhe shkoi në diasporë, apo edhe në shtetet tjera të ish Jugosllavisë. Kur u punësova në RTK, familja ishte skeptike nëse do të mund ta mbaja punën. Një prej fjalëve të nënës sime të ndjerë tani, ishte ‘mbas tre ditëve nuk do të vish në shtëpi’. Ndoshta kishte frikë edhe ajo, ka mendu që dikush ka me m`bo diçka, tash që po dilja publikisht dhe po e tregoja që jam rom dhe po e flisja gjuhën rome edhe në televizion”.

    Daut Qulangjiu, shkollën fillore dhe të mesmen i përfundoi në Prizren, ndërsa më pas e përfundoi fakultetin në Prishtinë. Ai thotë se gjithmonë ka reaguar me pjekuri e maturi nëse i ka ndodhur të jetë viktimë e racizmit apo të jetë i pranishëm në një moment racizmi.

    Dauti ka një ngjyrë të lëkurës më të hapur sesa romët tjerë në Kosovë. Më vjen i tmerrshëm fakti se edhe në intervistat tjera më është thënë se shpesh njerëzit janë më me fat nëse ngjyra e lëkurës së tyre është më e bardhë, edhepse janë romë.

    “Ndoshta fati im ka qenë që jom pak ma i bardhë, por ndoshta edhe qëndrimi im ka luajtë rol, sepse kam triumfu mbi situatat e ndryshme. Unë flas pesë gjuhë dhe i përdori të gjitha, kjo më ka bërë të jem më i vetbesueshëm. Mund të kryej punë si të gjithë, e ndoshta të jem edhe më i mirë se të tjerët. Kam qenë ndër dhjetë studentët më të mirë të gjeneratës sime. Kur dikujt prej komunitetit rom i jepet mundësia, duhet forcë dhe guxim për të ecur përpara. Është e rëndë kjo që po e them sepse shpesh na diskriminojnë qysh me fillim, me ngjyrën e lëkurës sonë. Qasja ndërron menjëherë nëse iu them njerëzve se jam rom, nëse kjo nuk është kuptuar deri në një pikë”.

    Dauti kujton se në disa raste ka parë njerëzit rreth tij të qeshnin me të, duke u zgërdhirë para tij.

    “Në disa raste, njerëzit qeshnin, kur kam hy në ndonjë shitore. Në dy raste edhe i pyeta njerëzit, pse po qeshnin, nëse ka diçka për të qeshur le ta tregojnë dhe qeshim së bashku. Kjo e qeshmja më ka pengu, më dukej si një përqeshje, si përçmim nga njerëzit që më kanë parë në televizor dhe e kanë ditur se jam rom dhe jam pjesë e redaksisë rome” tregon tutje Qulangjiu.

    “Nëse në rrugë dëgjoj fjalë pezhorative, pa marrë parasysh a adresohet ndaj meje apo dikujt tjetër, ndihem shumë keq. ‘Mos u bo si magjup’ e dëgjoj ndonjëherë. Kjo e tregon kulturën familjare. Nuk mundemi përmes institucioneve ta hekim këtë fjalë, por problemi është te familja. Ja një rast: vajza ime u kthye nga shkolla edhe tha – babë, e çka jemi na? Nëse jemi romë, pse një shoqe më tha magjupe? Unë ja shpjegova që ne jemi pjesë e komunitetit rom, por ajo fjalë është përdorë shkaku i xhelozisë për sukseset e saj në shkollë, sepse ajo është e mirë në mësime. I tregova se ne nuk jemi shqiptarë por me shekuj jetojmë në Kosovë, me shqiptarët këtu. Fëmijët e mi kanë mësu fillimisht gjuhën shqipe, ndërsa tash më vonë edhe gjuhën rome. Për edukimin e tyre, unë kam menduar se është më mirë ta dijnë gjuhën shqipe fillimisht, anipse babai i tyre punon shumë për gjuhën rome dhe për promovimin dhe avancimin e saj në Kosovë” tregon Qulangjiu.

    Ai thotë se është problematike që fëmijëve t`ua shpjegojë këto fjalë ofenduese të cilat e vrasin çdo ditë brendësinë e anëtarëve të komunitetit rom në Kosovë. Atij i pengon fjala ‘minoritete’, sepse ai nuk e ndjen se komuniteti rom është minor, apo ka diçka minore në esencë, diçka më pak, në aspektin pezhorativ.

    Me Dautin mund të flasim me orë të tëra, sepse ka plot tregime të pashkruara.

    “Shoqëria civile dhe aktivistët e komunitetit rom kanë ndihmuar shumë, prej para luftës e deri sot. Kemi punuar edhe brenda komunitetit rom, që t’i bindim njerëzit të rrijnë në Kosovë dhe të bëhen pjesë integrale e vendit këtu. Kemi punuar që të kemi deputetët tanë në Parlamentin e Kosovës, që të kemi përfaqësim më të lartë të komunitetit, dhe krejt kjo është transferu nga shoqëria civile drejt partive politike. Kemi punuar shumë që djemtë dhe vajzat e komunitetit të mos e ndërprejnë arsimimin, të vazhdojnë shkollën. E mendoj shpesh se partitë duhet ta kopjojnë aktivizmin tonë. Nëse ky aktivizëm do të ishte i tillë para luftës në Kosovë, por edhe para njëzetë vitesh, ndoshta do ta kishim luftuar edhe më shumë paragjykimin dhe racizmin. Megjithatë, fëmijët tanë do t’i shohin rezultateet e aktivizmit që po bëhet për momentin. Aktivistët e momentit unë i quaj si heronjtë e komunitetit rom, komunitetit edhe sot më të margjinalizuar në Kosovë” përfundon Daut Qulangjiu.

    Dautin sot e shohim si një prej figurave më intelektuale dhe përfaqësuese të komunitetit rom në Kosovë, i cili me emisionet e tij në RTK por edhe me aktivizmin e tij është një prej shpresave se në këtë vend ka hapësirë për të gjithë dhe çdo komunitet e grup i njerëzve mund të jetojë lirshëm e pa drojë.

    Nga Rubrika
    Lajme20 Nëntor 2024
    Ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, nuk po i ndalen skandalet. Pasi iu ngrit aktakuza e parë, e po hetohet për të dytën,...
    Lajme20 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po angazhohet për të krijuar kushte sa më të mira për fëmijët dhe të...
    Lajme20 Nëntor 2024
    Guvernatori i Bankës së Anglisë, Andreë Bailey, i ka dërguar një letër Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismailit,...
    Të tjera
    Lajme20 Nëntor 2024
    Një burrë në Lepinë të Graçanicës ka raportuar se ka gjetur një mjet të pashpërthyer në oborrin e fabrikës së tij, thuhet...
    Lajme20 Nëntor 2024
    Policia e Kosovës ka njoftuar për një kontrabandë të dyshuar me kafshë. Sipas raportit 24-orësh, KFOR-i ka vërejtur tri vetura dhe një...
    Lajme20 Nëntor 2024
    Kryeministri Albin Kurti mori pjesë mbrëmë në pritjen lamtumirëse për ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev. Ai e quajti Bullgarinë vend...
    Lajme20 Nëntor 2024
    Kryetari i Shoqatës së Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar...
    Sport20 Nëntor 2024
    Rafael Nadal, legjenda e tenisit, luajti mbrëmë ndeshjen e tij të fundit profesionale duke humbur 6-4, 6-4 ndaj Botic van de Zandschulp...
    Lajme20 Nëntor 2024
    Të hënën në fshatin Bube të Zubin Potokut, një njësit i KFOR-it ka vërejtur tre automjete dhe një furgon, të cilët dyshohet...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.