Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj u është kthyer zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar ku AAK dhe PSD kishin qenë në një koalicion parazgjedhor.
Mirëpo nga 13 ulëse në Parlamentin e Kosovës, kandidatët e PSD-së nuk e siguruan as edhe një ulëse të vetme.
Haradinaj tha se personalisht i ka kërkuar Dardan Molliqajt që të shkojë në Deçan dhe të kërkojë vota.
“Unë nuk e kam njoftë shumë Dardan Molliqajn, por personalisht i kam thanë: Dardan, të lutem shko pak në Deçan, se nuk po shoh që ka shumë interesim me të votu. As fijen minimale të interesimit Dardan Molliqaj nuk e ka pasur me u bo deputet i Parlamentit të Kosovës nga Deçani. Hapësira e AAK-së në pjesën e Deçanit ka qenë për Natyra Kuçin”, tha Haradinaj në një intervistë për kallxo.
Sipas tij, Dardan Molliqaj kishte pasur mundësi të bëhej deputet veç me vota të rajonit të Deçanit.
“Nëse Dardan Molliqaj kishte dashtë me u bo deputet, ish bo veç me vota të Deçanit, sepse është familje e mirë, babai i tij ka qenë i zoti, komandant batalioni në brigadën time. Por ai nuk ka shku poshtë me iu thanë kam nevojë për votë. Por unë personalisht mendoj, që po të kishte dashtë Dardan Molliqaj, ai ish bo deputet, sepse njerëzit në Deçan kanë simpati edhe për Dardanin edhe për familjen e tij”, tha Daut Haradinaj.