Andi Zeqiri është shpallur person “non grata” nga tifozët e Kosovës.
“Dardanët” kanë reaguar pasi nga Andi Zeqiri u konfirmua se Zvicra është zgjedhja e tij e parë, para Kosovës.
Sulmuesi nga Kosova dje është ftuar nga Përfaqësuesja A e Zvicrës në listën e gjerë për kampionatin evropian “Euro 2020”.
Kjo nuk u ka pëlqyer aspak “Dardanëve”, të cilët e kanë shpallur person “non grata”.
Reagimi i plotë nga “Dardanët” (pa ndërhyrje):
“Mashtrimet nuk tolerohen. Ai i Andit nuk ishte vetëm mashtrim ndaj Federatës, por edhe ndaj tifozëve dhe mbarë popullit në Kosovë. Si i tillë mori përmasa edhe më të rënda. Ofendoi shumë keq të gjithë ata që u përpoqën ta afronin te Kosova.
Tani, ky zotëria i veshur me sedër të huaj, atë zvicerane, le të na tregojë se çka e motivoi për ta bërë këtë tradhti? Çfarë i bëri Kosova që t’ia linte këtë njollë të zezë? Çka i kishim borxh ne tifozët që ai të na përgjigjej me atë sjellje perverse?
Nënshkroi mbi dokument se do t’i bashkohej kombëtares kosovare, pastaj si skuth i pabesë në pabesi shkoi te Zvicra.
Të pabesët nuk i duhen Kosovës. Nuk u janë dashur shqiptarëve. Vetëm se, ta kesh të qartë një gjë: për Dardanët je i padëshiruar – NON GRATA.
Kënaqu në alpet zvicerane, por mos u mundo asnjëherë të identifikohesh me shqiptarët dhe Kosovën, sepse atë mundësi për t’u identifikuar si i tillë e hodhe në kosh të plehrave.
Kurse për neve ti je vetëm një gërdallë mbeturinash. Nuk e meriton asnjë respekt!
Dy vjet duke sorollatur njerëz, duke i gënjyer dhe vendosur në pozita të padobishme.
Prandaj për ne Dardanët je i shpallur NON GRATA!”.