Kryetari i Dukagjinit, Fabian Veseli ka reaguar ashpër pasi Komisioni Disiplinor i FFK-së e dënoi me 300 euro kryetrajnerin e skuadrës, Armend Dallkun.
Dallku u dënua për shkak se pas ndeshjes finale të Kupës së Kosovës ndaj Llapit e akuzoi gjyqtarin kryesor, Genc Nuza.
Veseli në llogarinë e tij në Facebook iu ka drejtuar shtëpisë së futbollit kosovar me disa fjalë.
“Ju ekspertët e FFK-së mundeni të na dënoni, mundeni të na dëmtoni, mundeni të keni 120 minuta tendencë me referin tuaj Genc Nuza, por një gjë si kryetar i këtij klubi ua them, kurrë në jetën tuaj gojën për padrejtësi nuk mundeni të na ndalni”, ka shkruar Veseli.
Dukagjini ishte mposhtur në finale të Kupës nga Llapi me rezultat 4-3 pas ekzekutimit të penalltive.
Klubi nga Klina do të luajë në barazhin e Ligës së Parë kundër Flamurtarit të premten në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.