×
  • Hulumtime
  • Hulumtime

    Dallaveret në SharrCem/ 8 mln. € transfere në Shkup u raportuan si investime në Kosovë

    Fatlum Berisha
    16 Mars 2022

    Një dallaver financiar milionësh është evidentuar në “Sharr Cem”, fabrikën më të madhe të çimentos në Kosovë. Pronarët, të cilët e blen atë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për 30 milionë euro në vitin 2010, nuk përmbushën zotimet për investime kapitale në vlerë prej 35 milionë eurove për periudhën 2010 – 2015. Grupi “Titan” nuk i qëndroi mbrapa kushteve të pazarit që e bëri me AKP-në kur vendosi të marrë mbi vete fabrikën, deri në atë vakt, e shtetit. Investoi pos 33.4 milionë euro kapital në ndërmarrje brenda periudhës pesë vjeçare. Megjithatë, edhe në këtë shumë e bëri një hile. Përfshiu në të gati 8 milionë euro të aksioneve, të blera në tri kompani, pronësi të “Cementarnica Usje Ad Skopje”, me seli në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Diçka e tillë bie ndesh me Planin e Biznesit, i cili qe dorëzuar nga blerësi “Titan” në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Blerjet e kësaj natyre, aty, nuk klasifikohen fare si investim kapital. Fjala është për vitin 2010. Asokohe, para privatizimit, veç fitimi vjetor i “Sharr Cem” vlerësohej të ishte rreth 20 milionë euro.

    Skandali është zbuluar në një raport të auditorit të pavarur. Atë e ka siguruar Instituti për hulumtime, “Front”.

    Në të thuhet se shuma e investimeve kapitale prej 7,891,000.00 euro në blerjen e aksioneve në tre kompani tjera nuk mund të klasifikohet si investim kapital për përmbushjen e marrëveshjes së zotimit të investimeve. Për blerjen e aksioneve në kompaninë MILLCO-PCM DOOEL u paguan 3,500,000.00 euro. Për ato të “RUDMAK DOOEL export-import” 1,409,000.00 euro. E 2,982,000.00 euro tjera shkuan për blerjen e aksioneve të kompanisë me emrin “CEMENT PLUS FOR BUILDING MATERIALS SH.P.K.”

    Raporti i Auditorit

    Gjatë verifikimit të dokumentacionit, Auditori, po ashtu ka konstatuar se një shumë tjetër prej 1,495,660.00 eurosh është prezantuar si investim. Megjithatë, për të nuk ka dokumentacion të mjaftueshëm siç janë: faturat dhe kontratat që do të dëshmonin këto investime. Kësisoj investimet kapitale të pranueshme deri më datën 9 Dhjetor 2015, sipas Auditorit, janë në vlerë prej 25,558,237.17 euro apo me një mungesë prej 9,441,762.83 euro për të plotësuar zotimet 35 milionëshe nga kontrata e shitblerjes së aksioneve.

    AKP: Blerësi do të obligohet t`i përmbush zotimet për investime

    Mospërmbushja e zotimeve nga blerësi në total diku për mbi 9 milionë euro është konfirmuar edhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

    Megjithatë sipas përgjigjes së tyre, dërguar Institutit për hulumtime, “iFront”, ai do të detyrohet të kompensojë këtë shmangie përmes një forme tjetër.

    “Agjencia Kosovare e Privatizimit ka nxjerr vendimin sipas të cilit blerësi obligohet që për vlerën e mospërmbushjes së investimeve të përcaktuara sipas raportit të auditimit të paguajë si çmim të blerjes vlerën e papërmbushur ashtu si është e paraparë në kontratë të shitblerjes”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

    Për shkak të mospërmbushjes së zotimeve për investime dhe punësim, si dhe gjetjes së shkeljeve të shumta nga pronari i ri, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) para disa ditësh i ka tërhequr aksionet ndërmarrjes Bujqësore Industriale (NBI Suhareka), duke e kthyer në menaxhim direkt të saj.

    Të pyetur nëse e njëjta gjë do të ndodh edhe në ndërmarrjen “Sharr Cem”, nga AKP dhanë këtë përgjigje.

    “Sharr Cem nuk është shitur si ndërmarrje me Spin off special, por si spin off me kushte dhe bazuar në kontratën e shitblerjes nuk mund të tërhiqen aksionet”.

    Nga ndërmarrja “Sharr Cem”, në anë tjetër më 2016, patën përmendur tre shkaktarë që sipas tyre pamundësuan investimet kapitale.

    I pari lidhej me një ndërhyrje në minierë.

    “Investimi në minierë (Kline, Seqishte…): Kjo përbëhet nga investimi afatgjatënë minierë i vlerësuar në €10m. Autoriteti licencues, ICMM/KPMM, ka qenë jo-aktivë nga 28.01.2014 deri më 06.05.2015 për arsye të mungesës së caktimit të Bordit të Drejtorëve. Për këtë arsye në këtë periudhë nuk ka mundur të lëshohen licencat: koha e vonesës 15 muaj”.

    Në të dytin kompania fajëson AKP-në, e në atë të tretë Komitetin për Partneritet Publiko Privat.

    “2. Agjencioni gjithashtu ka qenë pa Bord të Drejtorëve nga 01.09.2014 deri 17.12.2015. Për këtë arsye AKP-ja nuk ishte në mundësi të mbështesë kërkesat e kompanisë lidhur me investimet – koha e vonesës 15 muaj. 3. Komiteti për Partneritet Publiko Privat “KPPP” (Public Private Partnership Committee “PPPC”): Në Prill 2013 ligji për eksploatim të mineraleveenergjetike është aprovuar. Në Gusht 2013 neve kemi dorëzuar projektinlidhur me këtë për vlerë mbi €80m Ministrive përkatëse. Vetëm në Prill 2015 Sharrcem është ftuar të prezantojë projektin para Komitetit për PartneritetPubliko Privat (të përbërë prej 5 Ministrive) – koha e pauzës 20 muaj. Vetëm në shtator 2015 është formuar komisioni i ekspertëve të vlerësojnë propozimin – kohë vonesë shtesë se paku 4 muaj. Komiteti i ekspertëve ka përfunduar punën në Shkurt 2016 dhe neve jemi informuar në Korrik 2016 që opinioni i tyre është dërguar në Ministrin e Financave e cila kryeson KPPP – kohë vonesë shtesë se paku 4 muaj”, thuhet në përgjigjen e 2016-s të “Sharr Cem”.

    “iFront” ka provuar të marrë një përgjigje nga kompania nëse i kanë përmbushur këto zotime akoma, por nga ky biznes askush nuk ka kthyer përgjigje as pas dy javësh.

    Ish-kryetari i Hanit të Elezit nuk kursen kritikat për privatizimin e ndërmarrjes

    Fabrika ndodhet në komunën e Hanit të Elezit.

    Komunarët e atëhershëm, më 2010, kishin reaguar pas shitjes pa tender dhe eleminimit të konkurrencës në rastin e fabrikës së çimentos “Sharr Cem”.

    Sot 12 vjet pas, ish-kryetari Refki Suma kujton se ani që bëri ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, ajo asnjëherë nuk u mor parasysh.

    Sipas tij, kompania greke “Titan” e bleu fabrikën për 30 milionë euro komplet, ndërkohë që vetëm fitimi vjetor i saj, atë kohë, ishte 20 milionë euro.

    “I ka pasë 700 puntorë, pas privatizimit numri ka ra në 210. Shumë punëtorë po largohen nga puna, pak e hiç punësohen. Në këtë krizë të madhe të punësimit, punëtorët mezi presin të punësohen”, u shpreh Suma.

    *Hulumtimi paraprakisht është publikuar në Institutin per Hulumtime “Front”. Materialet e “iFRONT” nuk mund të kopjohen ose të përdoren pa iu referuar burimit apo miratimit nga Instituti. Linku:https://fronti.org/dallaveret-me-investime-ne-sharrcem-8-milione-e-transfere-ne-maqedonine-e-veriut-u-raportuan-si-investime-ne-kosove/*

    Nga Rubrika
    Hulumtime19 Nëntor 2024
    Një tender në vlerë prej 15 milionë €, të cilin ia kishte dhënë Ministria e Punëve të Brendshme që udhëhiqet nga Xhelal...
    Hulumtime15 Tetor 2024
    Shkruajnë: Lavdim Hamidi & Aulona Konjuhi Qindra vetura zyrtare janë pajisur me targa civile gjatë dy viteve të fundit, kryesisht për shkak...
    Hulumtime19 Shtator 2024
    Një tender prej hiç më pak se 3.3 milionë euro për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Vushtrrisë po dyshohet...
    Të tjera
    Bota/Rajoni04 Dhjetor 2024
    Avokatët e presidentit të zgjedhur Donald Trump i kërkuan zyrtarisht një gjykatësi të hënën të rrëzojë vendimin për shpalljen fajtor lidhur me...
    Bota/Rajoni04 Dhjetor 2024
    Presidenti Joe Biden vizitoi të martën një muze të skllavërisë në Angolë, ku mes tjerash të shfaqura janë edhe pranga dhe kamxhiku...
    Lajme04 Dhjetor 2024
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të takohet sot me shefin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Bruksel. Në faqen...
    Lajme04 Dhjetor 2024
    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani,për FrontOnline ka thënë se lufta hibride është një kërcënim gjithnjë e më i madh për Evropë,...
    Lajme04 Dhjetor 2024
    Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” organizon sot një ngjarje vetëdijesimi kundër dhunës ndaj gruas. Ky organizim vjen me rastin e 16 ditëve...
    Lajme04 Dhjetor 2024
    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë do të organizojë sot konferencën gjysmëditore të titulluar “E Ardhmja e Kujdesit Shëndetësor”. Ngarja do të fillojë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.