Gjykata e Posaçme e ka dënuar me 2 vjet e 8 muaj ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon.
Akuza ndaj tij lidhet me dy episode, i pari ka të bëjë me pallatin 11 katësh që sipas SPAK-ut ndërtimi i tij në vitin 2011 ishte tej çdo kriteri, kushti teknik dhe në paligjshmëri çka e ktheu ndërtesën të rrezikshme për t’u banuar.
Për shkak të këtyre shkeljeve të kryera edhe nga të dyshuar të tjerë inxhinierë, kolaudues e administratori i firmës, pallati u dëmtua lehtësisht nga tërmeti, raporton Top Channel.
Mes dhjetëra shkresave të sekuestruara, SPAK-u veçon tre dokumente të firmosura nga ish-kryebashkiaku, në njërën prej të cilave urdhëronte pezullimin e punimeve në objektin në fjalë dhe në tjetrën miratohej zbardhja e lejes dhe diçka e tillë sipas SPAK-u provon dijeninë e ish zyrtarit lokal.
Edhe për episodin e dytë mbi projektin “Promenadë Bregdetare”, SPAK-u thekson se hartua me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 18 milionë lekë, për të cilat në fillim bashkia Durrës hapi proces ndaj firmës, por më pas juristi i caktuar nga ish kryebashkiaku u tërhoq nga gjykimi.
Bashkia Durrës pavarësisht dëmit të konstatuar edhe nga KLSH kreu likuidimin financiar ndaj subjektit privat.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit u arrestua më 6 qershor me urdhër të SPAK-ut, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste.