Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) e ka publikuar raportin me statistikat afatshkurtra të industrisë, duke e paraqitur indeksin e vëllimit industrial për muajin korrik të këtij viti.
Sipas po të njëjtit raport, vërehet se në muajin korrik, indeksi i qarkullimit në sektorët e industrisë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (korrik 2021), konkretisht te sektorët si furnizimi me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave, ishte rreth 0.62 për qind; te furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar ishte 0.18 për qind; tek industria përpunuese ishte 0.02 për qind, si dhe tek industria nxjerrëse kishte ulje për 0.23 për qind.
Të dhënat e këtij raporti gjithashtu theksojnë se indeksi i numrit të të punësuarve në sektorët e industrisë, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak (korrik 2021), ishte te furnizimi me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimi i mbeturinave, rreth 0.02 për qind, furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 0.05 për qind, industria nxjerrëse (minierat dhe guroret) me -0.03 për qind si dhe industria përpunuese me -0.01 për qind.
“Ky publikim, me të dhënat që ofron, synon ta paraqesë ecurinë në industri: B – Nxjerrëse, C – Përpunuese, D – Furnizim me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, dhe E – Furnizim me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave, në periudha tremujore, nëpërmjet të cilave kuptohet zhvillimi i ciklit në industri”, thuhet në raportin e ASK-së.