×
  • Lajme
  • Lajme

    Dakordimi për të zhdukurit dhe të zhvendosurit, çfarë thonë në Bruksel e Qeveri për deklaratat e Osmanit?

    FrontOnline
    03 Nëntor 2020

    Kryeparlamentarja Vjosa Osmani e ka kushtëzuar Qeverinë e Kosovës me mos votim të buxhetit teksa ka kërkuar bashkimin e skenës politike në vend për ta bërë këtë. Sipas saj, kjo duhet të bëhet në shenjë revolte pasi që ekzekutivi është dakorduar me Serbinë në Bruksel për të pagjeturit dhe të zhvendosurit, me një tekst që po mbahet i fshehtë. Në BE thonë për Gazetën se do të ketë marrëveshje vetëm gjithëpërfshirëse e jo për çështje të veçanta. Të njëjtën përgjigje e kanë pasur edhe në Qeveri të pyetur nga Express.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës në seancën e djeshme ka thënë se në Bruksel i kanë konfirmuar se Prishtina dhe Beogradi kanë rënë në pajtim për çështjen e të zhdukurve dhe të zhvendosurve, duke shtuar se për këtë çështje është edhe një tekst që tashmë është i finalizuar.

    “Ai tekst është dakorduar, e kam konfirmimin zyrtar nga Brukseli, ne duhet ta dimë se çka kanë vendosur ata, nëse janë marrë vesh që të kthehen të zhvendosurit në shtëpitë e tyre”, tha kryeparlamentarja.

    Osmani në fjalimin e djeshëm ka kërkuar nga partitë politike që të bashkojnë forcat, duke thënë se duhet që të kushtëzohet kjo temë me mosvotimin e buxhetit që pritet të shkojë në seancë, e se teksti duhet të publikohet sa më shpejtë.

    “Unë nuk e di nëse zyrtarët e partive të koalicionit e kanë parë tekst, unë mendoj se duhet të informohemi, cila është ajo marrëveshje që është arritur për të zhvendosurit, meqë qenka e konfirmuar”, tha dje kryeparlamentarja.

    Gazeta Express ka pyetur në Bashkimin Evropian e në Qeverinë e Kosovës nëse deri më tani Kosova dhe Serbia kanë përpiluar ndonjë tekst si dakordim në fazën e fundit të dialogut për marrëveshjen e paqes.

    Nga Brukseli, Peter Stano, zëdhënës i shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë  se deri më tani asnjë dokument nuk është nënshkruar mes të dyja palëve.

    Në fakt, në BE thonë se janë duke ndërmjetësuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse e se në këtë proces do të diskutohen të gjitha çështjet e pazgjidhura.

    “BE po lehtëson një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshëm midis Kosovës dhe Serbisë. Është një proces politik që merret me të gjitha çështjet e pazgjidhura”, thotë Stano.

    Ai ka deklaruar se të gjitha elementet do të jenë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, përfshirë këtu edhe personat e zhdukur dhe të zhvendosur

    Megjithatë, Stano thotë se asnjë marrëveshje nuk është nënshkruar deri më tani mes palëve për marrëveshje të veçanta, e se një gjë e tillë do të ndodhë vetëm kur të dakordohen palët për marrëveshjen gjithëpërfshirëse.

    “Disa nga elementët, të cilët do të jenë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, tashmë janë diskutuar dhe është bërë përparim i plotë. Këto çështje përfshijnë njerëzit e zhdukur dhe të zhvendosur. Sidoqoftë, palët po negociojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe jo një seri marrëveshjesh për çështje të veçanta, asnjë dokument nuk është nënshkruar në Bruksel”, thotë në Bashkimin Evropian.

    Në Qeverinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se janë duke punuar për marrëveshjen finale që do të përfundojë me njohje reciproke, e se parim themelor është se nuk do të dakordohen për asgjë, para se të dakordohen për të gjitha temat.

    Nga zyra e kryeministrit thonë se nuk ka zbatim të pjesshëm të marrëveshjes.

    “Pasi që në këtë faze po punohet për marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim te marrëdhënieve, ritheksojmë se Qeveria është e përkushtuar t’i zbatoj në përpikëri parimet themelore në këtë proces. Parim themelor është se nuk ka dakordim për asgjë derisa nuk dakordohemi për të gjitha, dhe nuk ka zbatim të pjesshëm të marrëveshjes”, thonë në Qeveri për Gazetën, teksa, thonë se do të jenë transparentë për çfarëdo teme që do të diskutohet në Bruksel.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, do të vazhdojë të jetë transparente për secilën fazë të bisedimeve në kuadër të procesit të dialogut. Përmes raportimeve në Kuvend, konferencave të Kryeministrit Hoti dhe komunikatave për media nga Zyra e Kryeministrit, mediat dhe opinioni publik do të njoftohen në baza të rregullta për të gjitha temat të cilat do të diskutohen në Bruksel”, thonë në Qeveri.

     

    Nga Rubrika
    Lajme14 Nëntor 2024
    Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka njoftuar se pilotët e Forcave të Sigurisë së Kosovës po vazhdojnë trajnimet në Bazën Ajrore të...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “paçavure” doracakun e Edukatës Seksuale për të cilin tha se ka kërkuar nga kryetarët...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Pas Kryeqytetit dhe disa komunave tjera, edhe ajo e Vitisë do të ndalojë përdorimin e Doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” për...
    Të tjera
    Lajme14 Nëntor 2024
    Gazetari dhe analisti, Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në zgjedhjet 9 shkurtit, ‘goditjen’ më të madhe Lëvizja Vetëvendosje...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka thënë se janë të gatshëm të përballen me të gjitha sfidat e sigurisë, dhe se,...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Për të premten parashikohet të mbajë kryesisht i vranët, ku pritet në zona të caktuara të ketë reshje të pakta shiu e...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka dënuar sulmin me thikë në Ferizaj, i cili ndodhi për shkaqe etnike.Kusari-Lila ka...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi gjatë ditës së nesërme do të dorëzojë padi ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme...
    Vip14 Nëntor 2024
    Dalja e Gjestit nga shou më i madh televiziv shqiptar, Big Brother VIP Kosova, do të gëzonte disa prej banoreve brenda shtëpisë....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.