Mbledhja sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nisi me diskutim në lidhje me formularin e fletëvotimit dhe akuza ndaj kryetares, Valdete Daka.
Alim Rama dhe Sami Kurteshi nga LVV deklaruan se KQZ qëllimisht do që të krijojë telashe dhe probleme teknike në proces.
“Në vend se me u ruajt neutral, je bërë palë”, iu drejtua Rama Dakës.
Ndërsa, Kurteshi u shpreh se me shumë dëshirë po e pret ditën e votimit dhe momentin kur do të dalin rezultatet.
“Ka përpjekje për t’i disorientuar votuesit, është fakt dhe e kemi thënë. Detyrë e institucionit shtetëror është që ta lehtësojë procesin e votimit sa më shumë që mundet”.
“Veprimet e qëllimshme për t’i hutuar vëzhguesit e komisionerët gjatë bartjes së rezultateve po shihen hapur. Ne megjithatë e presim me shumë dëshire 14 shkurtin, do të vijë momenti kur do dalin rezultat”.
“Puna e këtij institucioni kishte me qenë që krejt çështjet të rregullohen me kohë që votuesit mund ta shprehin votën e tyre dhe ajo të reflektohet në të gjitha dokumentet zyrtare të institucionit. Janë bërë përpjekje për të bërë diçka kundër kësaj, e ne i kemi kuptuar këto. Nuk zhduket Albin Kurti, po ju pengon ai”, u shpreh Kurteshi.
Ndërkaq, Daka i ka lutur vazhdimisht që të ndalen, duke i thënë se po bëjnë fushatë dhe se aty nuk është vendi për një gjë të tillë.
“Asnjëherë institucioni i KQZ-së s’ka qenë me i politizuar, asnjëherë”, u shpreh ajo.
Gjatë kësaj mbledhjeje u kërkua edhe autorizim për procedurën e pranimit dhe dorëzimit të zarfeve me fletëvotime që vijnë përmes postave të shpejta.
“Opsioni i vetëm më i mirë për të gjitha palët është që zarfet me fletëvotime që vijnë me postë të shpejtë, të mbahen në pritje në objektet e postave të shpejta dhe sekretariati ta caktojë një kohë që të bëjë bartjen e këtyre postave deri në vendin ku do të ruhen”.
“Kjo i bie që në bashkëpunim edhe me postën e shpejtë që t’i mbajnë deri në një kohë të caktuar që e kemi paraparë të jetë ora tre pasdite, se sipas procedurave, të gjitha postat e shpejta deri në ora 1:30 të ditës përfundojnë të gjitha dërgesat dhe t’i përgatisin këto pako me zarfe që t’i dorëzojnë në KQZ, dhe QKZ-ja me policinë dhe vëzhguesit të shkojnë në objektet e këtyre postave t’i tërheqin këto zarfe dhe t’i dërgojnë në objektin e mbajtjes”, u shpreh Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.
https://www.facebook.com/100224887998265/videos/221393699684663