Padyshim që formimi i Superligës evropiane ka shkaktuar një “tërmet” në botën e futbollit, raporton FrontOnline.
Kjo ka ndikuar edhe te kroatët, të cilët janë frymëzuar të krijojnë ligë të re me skuadrat nga Ballkani.
Bëhet fjalë për Superligën ballkanike në futboll, e cila sipas tyre, do të përbëhej nga dy divizione me nga 16 skuadra.
Ndeshjet parashihen të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, dhe katër skuadrat e fundit të divizionit të parë bien poshtë, ndërsa katër skuadrat e para të divizionit të dytë ngjiten lartë.
Sipas kësaj ideje nga kroatët, në këtë kampionat do të merrnin pjesë skuadrat nga Kroacia, Rumania, Greqia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Bosja e Hercegovina, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.
Superliga ballkanike ide e pëlqyer, klubet e Kosovës do të përfitonin nga promovimi i talentëve
Futbollisti me përvojë në futbollin e Kosovës, Taulant Dajaku e ka komentuar propizimin e dhënë nga kroatët për një kompeticion të tillë.
Duke e parë shuarjen e menjëhershme të Superligës evropiane, Dajaku thotë se e njejta do të ndodhte edhe me këtë ballkanike.
“Ka qenë ide e kahershme, por dështimi i kësaj nisme të klubeve elitare do të stopojë çdo lloj nisme tjetër që do të jetë jashtë kupolës së UEFA-së. Forma agresive e reagimit që ka bërë UEFA, nuk do të lejojë asnjë zë tjetër të ndërmarrë hapa të tillë në një periudhë të afërt”, thotë Dajaku për FrontOnline, duke shtuar:
“Kjo ide realisht nuk ka pasur një nismë konkrete. Thjesht ka qenë një ide e kahershme. Unë mendoj se kjo ide as që do të shtjellohet”./FrontOnline/