Deputeti shqiptar Shaip Kamberi, ka “dridhur” themelet e Kuvendit të Serbisë.
Sipas tij është trishtuese një opozitë me vetëm 6 deputetë. Ai ka thënë se opozita e vetme parlamentare është grupi i deputetëve të Luginës së Bashkuar dhe SDA-Sanxhakut.
“Serbia është sot problem para së gjithash për vetë serbët. Një Serbi që nuk u demokratizua as me rënien e monizmit, kur u rrëzua Ivan Stambolliqi i vrarë më vonë nga eksponentët e strukturave shtetërore të sigurimit. As me rënien e Millosheviqit më 5 tetor 2000, që i parapriu vrasjes së Zoran Gjingjiqit, ku urdhërdhënësit e këtij atentati jetojnë sot të lirë, sepse në heshtje konsiderohen heronj“, ka thënë ai ndër të tjera.
Kamberi ia ka përmendur pushtetit serb edhe krimet në Kosovës dhe mijëra kufoma të shqiptarëve që nuk janë gjetur ende.
“Përfytyroni fëmijët, gratë dhe pleqtë që mjaftoi të kishin emra, gjuhë e kulturë të ndryshme, për t’u vrarë mizorisht dhe për t’iu hedhur fshehurazi kufomat e tyre nëpër varreza masive 400 km larg nga krimi, nga ana e strukturave të shtetit që kishin për detyrë t’ua siguronte sigurinë dhe mirëqenien.
Këto krime kundër njerëzimit janë urdhëruar, organizuar dhe kryer nga strukturat shtetërore, nga zyrtarë të Republikës së Serbisë, kryeministre e së cilës po rizgjedheni sot”, ka shkruar ai.
E ky fjalim nuk i ka pëlqyer kryetarit të Kuvendit, Iviça Daçiq. Ai ka ndërhyrë duke i thënë Kamberit që të mos e provokojë.
“Unë nuk dua të futem në një debate dhe të argumentoj, dhe mund të bëj, nëse diçka është e vërtetë apo jo. Respektoni gjuhën parlamentare dhe përdorni një fjalor të përshtatshëm, në mënyrë që të mos duhet të marr masa. Mos ju po më provokoni”, dëgjohet duke thënë Daçiq.
Ndryshe, fjalimi i Kamberit ka bërë bujë të madhe në mediat shqiptare, por edhe ato serbe.