Me rastin e vizitës së paralajmëruar në Beograd dhe Prishtinë të ndërmjetësit evropian në dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe Zëvendës ndihmës sekretarit Amerikan të shtetit për Evropën Matthew Palmer, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiqi, tha se është reale të pritet që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të veprojnë bashkarisht në Ballkanin Perëndimor, sepse, sipas tij, ka ndryshuar çasja e tyre.
Daçiq, duke folur në “TV Pink”, tha se pret presion të ashpër në lidhje me çështjen e Kosovës, por vuri në dukje se, megjithatë, situata në terren është e ndryshme tani dhe se Serbia nuk është më në një situatë “vetëm të dëgjojë dhe të shohë se si reagojnë fuqitë e mëdha”, transmeton Telegrafi.
“Presioni do të rritet, por gjithçka varet nga udhëheqja politike që është në Beograd dhe ne nuk do të pranojmë të shantazhohemi. Nëse dikush planifikon të sjellë një ‘non – paper’ në Serbi, le të mos humbasin kohë”, tha Daçiq.
Ai vuri në dukje qëndrimin e përsëritur të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Serbia dëshiron kompromis dhe marrëveshje, por nuk pranon kurrfarë shantazhe që do të nënkuptonte njohjen e Kosovës.
“Ne gjithmonë kemi qenë për dialog, nuk kemi qenë kurrë në favor të nënshkrimit të diçkaje, e që pastaj të mos e zbatojmë, siç ka bërë Prishtina. Do të ketë presion të rëndë, por nëse dikush dëshiron marrëdhënie korrekte, ne jemi këtu”, tha Daçiç.
I pyetur nëse ‘non paper’ mund të jetë rezultat i vizitave të paralajmëruara të Lajçakut dhe Palmer-it, Daçiç tha se ato vizita mund të arsyetohen me zgjedhjet që u zhvilluan në Kosovë dhe për të parë se si do të jetë situata kur bëhet fjalë për vazhdimin e dialogut, por që më shumë se kaq nuk mund të pritet sepse, siç tha ai, qeveria e Kosovës nuk është formuar ende.
“Ajo qeveri do të jetë shumë ekstreme, ata refuzuan çdo dialog, nuk është asgjë optimiste tani në kuptimin se pala shqiptare është e pafajshme dhe se dikush e sheh fajtorin tek ne, kjo nuk është më ashtu”, tha Daçiq. /Front Online/