Rastet e reja me COVID-19 po rriten nëpër shkollat e Prishtinës.
Vetëm deri të martën në shkollën fillore “Ismail Qemali” në kryeqytet me virusin janë infektuar 50 nxënës dhe 9 mësimdhënës, raporton “Front Online”.
Rezultatet e tyre dolën nga testet antigjene që ata bënë përmes pështymës.
Këto teste, komuna e Prishtinës i bleu në dhjetor të vitit të kaluar përmes një tenderi të negociuar direkt.
Vlera e tij ishte mbi 300 mijë euro. Komuna i ftoi dy kompani për të negociuar: MADEKOS SH.P.K. dhe NERAMED, raporton “Front Online”.
E para triumfoi për shkak se ofertoi më lirë, por edhe shkaku që kompania e dytë siç u tha nga Zyra e Prokurimit nuk mundi ta sigurojë tenderin.
Sasia që kishte lypur komuna e Prishtinës ishte 100 mijë copa, raporton “Front Online”.
Kur llogaritet kjo sasi me shumën e kontratës del se pushteti lokal kryeqytetas ka paguar për një test antigjen 3 euro.
Testet antigjene është planifikuar të shërbejnë gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë.
Do të testohen vetëm nxënësit që kanë këto simptoma:
-Temperaturë mbi normale
-Kollitje apo ethe
-Kontakt me persona të infektuar.
Krahas shkollave fillore të mesme të ulëta, testet antigjene janë shpërndarë edhe ato të mesme të larta e institucione parashkollore.
Ndarja e testeve është bërë në proporcion me numrin e nxënësve në institucione./ Front Online