Për shkak të pandemisë Covid-19, këtyre dy bizneseve në Prishtinë i është vënë dryni.
Fatin e njëjtë e kanë pasur edhe shumë biznese të tjera në vend, të cilat për shkak të humbjeve që u ka shkaktuar pandemia, është dashur të mbyllen.
“Nuk kemi hesap me punuar deri në orën 21. Flm shtet, -4 punëtorë”, kështu shkruhej në njoftimin e biznesit Chico Burger në Gjilan, i cili për shkak të gjendjes së krijuar me pandeminë, nuk është hapur më.
Pronari i këtij biznesi, Lulzim Kqiku ka treguar për Front Online se deri tani kanë paguar qira për lokalin, por për shkak të gjendjes së krijuar, kanë vendosur që mos ta hapin më.
“Është i mbyllur ende lokali dhe nuk punojmë më aty. Nuk kemi më hesap që të punojmë, po shihet si është gjendja”, ka thënë ai.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka treguar për Front Online, se gjatë këtij viti mbi 5 mijë biznese janë mbyllur në vend.
Sipas tij, në krahasim me vitet e kaluara, këtë vit është rritur numri i bizneseve të mbyllura.
“Në këtë vit shifrat e bizneseve të mbyllura e të falimentuara është mbi 5 mijë, kurse në statistikat e institucioneve të shtetit është nën 1 mijë. Gjë që nuk korrespondon me realitetin”, ka deklaruar ai.
Shahini ka thënë se procedurat për të mbyllur një biznes janë të vështira, andaj edhe ata që po falimentojnë nuk po i ndjekin ato.
Në anën tjetër, Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës, ka thënë për Front Online, se që nga muaji mars deri më 21 tetor, 73 biznese të cilat kanë kryer të gjitha procedurat e parapara janë mbyllur.
“Kemi diku 73 biznese të cilave i janë kryer të gjitha procedurat e parapara me ligj dhe janë lëshuar vërtetimet ose certifikata e çregjistrimit të biznesit”, ka thënë ajo.
Bytyqi-Sefa ka thënë se për tu shuar një biznes, duhet të ndiqen disa procedura të cilat janë të parapara me ligj.
Sipas saj, ATK-ja pastaj ka kohë 60 ditë që t’i kthej përgjigje qytetarëve për mbylljen e një biznesi.
Qeveria ende nuk ka arritur ta miratojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike kur parashihet edhe përkrahja për bizneset.
Nga ana tjetër, pavarësisht gjendjes aktuale, krerët e institucioneve kanë paralajmëruar kufizim masazh në rast se rritet numri i të infektuarve me Covid dhe nuk respektohen masat kundër virusit.