Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka qëndruar sot për vizitë në Komunën e Gjilanit, me ç’rast tha se numrat e rasteve të reja me COVID-19 janë alarmante.
Ai tha se në tri javët e fundit kishte rritje të numrit të rasteve, por që tha fatmirësisht me një stabilitet të kësaj jave. Vizita e sotme në Gjilan, tha se ka të bëjë me mobilizimin që ta ruajnë shëndetin publik dhe të bëjnë avancimin e shërbimeve shëndetësore.
“Gjilani është në mesin e komunave në zonë të kuqe, por pothuajse është tash i gjithë rajoni, pavarësisht disa komunave të vogla. Numrat për mua si ministër i Shëndetësisë dhe për profesionistët shëndetësorë janë alarmantë. Për ta ndryshuar gjendjen duhet ta ndryshojmë sjelljen, duhet ta ndryshojmë dinamikën e jetës dhe ta rrisim kujdesin. Qeveria e Kosovës dhe MSH po bëjnë gjithçka që është mundur që t’i bëjë ballë këtij virusi edhe përmes ngritjes së kapaciteteve dhe racionalizimin e të mirave që posedojmë”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri tha se së shpejti në këtë komunë do të fillojë testimi me metodën PCR.
“Spitali i përgjithshëm i Gjilanit prapë përfiton një donacion nga ministria, i cili do të shpërndahet. Ndërsa, po përgatitemi dhe jemi gati të pranojmë laboratorin për PCR dhe do të fillojmë të testojmë me mjete të tona dhe me mbështetje të ministrisë. Jemi njëra prej komunave me rreth 7 mijë teste të realizuara deri sot, prej të cilëve 502 raste i kemi aktive”, tha ai.
Haziri tha se spitali i qytetit në Gjilan dhe institucionet tjera janë në shërbim 24 orë dhe se tri ekipe mjekësore nga QKMF-të po realizojnë deri në 85 vizita ditore nëpër shtëpi. Ai po ashtu tha se janë afër finalizimit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në qytetin e Gjilanit.
Për më tepër, kryetari Haziri ka bërë të ditur se gjatë ditës ka zhvilluar një takim pune me kryeministrin Avdullah Hoti, me të cilin ka biseduar që të ruhet ekonomia e kësaj komune. Ai me këtë rast u ka bërë thirrje deputetëve të të gjitha partive nga regjioni i Gjilanit që ta votojnë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
“Rimëkëmbja dhe menaxhimi gjatë dimrit do të jetë më i vështirë. Ne e kemi përgatitur një kontingjent asistence që është rritur për 70 për qind. Kemi humbur mbi 800 vende pune dhe natyrisht do të duhej mjete financiare dhe ushqimore, me iu gjend njerëzve gjatë dimrit më afër”, tha ai.
Zemaj gjatë vizitës ka vizituar edhe Spitalin e Gjilani ku ka bërë dorëzimin e rëntgenit mobil, si dhe ka vizituar Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike./FrontOnline/