Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi për një lehtësim me tri faza të masave kufizuese, që do të fillojë nga kjo fundjavë, kur do të hapet një pjesë e bizneseve.
Pas bizneseve, nga 1 dhjetori do të hapen edhe kishat dhe disa objekte kulturore, të cilat do të mund të pranojnë më së shumti 30 vizitorë në grumbull, ndërsa ata që duan të ushtrojnë nuk mund të shkojnë më larg se 20 kilometra nga shtëpia e tyre dhe mund të qëndrojnë tri orë jashtë.
Deri më tani, personat që donin të dilnin për ushtrime kanë pasur të drejtë të largohen vetëm një kilometër nga shtëpia ose banesa dhe të qëndrojnë jashtë jo më shumë se një orë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Macroni gjithashtu tha se nëse numri ditor i rasteve të reja bie në rreth 5.000, izolimi do të largohet zyrtarisht më 15 dhjetor, duke mundësuar edhe udhëtime gjatë sezonit të pushimeve.
Sidoqoftë, ora policore do të vazhdojë të mbetet në fuqi nga ora 9 e mbrëmjes deri në orën 7 të mëngjesit, përpos datave 24 dhe 31 dhjetor, ndërsa për të gjitha tubimet festive kërkohet respektim i prerë i rregullave të distancës sociale.
Faza e tretë e lehtësimit të masave pritet të fillojë më 20 janar, bëri të ditur presidenti. Nga ajo datë do të rihapen baret, restorantet dhe klubet.