Bilanci i të infektuarve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kaluar pragun e 11 milionë personave, ndërsa një valë e tretë e pandemisë po godet shpejt vendin.
Vetëm në 8 ditët e kaluara, 1 milion persona të rinj u diagnostikuan si bartës të virusit, ndërsa vdekshmëria ditore u rrit mbi 1,100, duke prekur të dielën kulmin e 246 mijë jetëve të humbura.Uashingtoni dhe Miçigani i janë bashkuar shteteve të tjera duke prezantuar masa të ashpra për të ndaluar përhapjen e infeksionit.
Shteti i Miçiganit urdhëroi ndalimin e mësimit në shkollat e mesme dhe të larta, mbylljen e restoranteve, të sporteve të organizuara apo ushtrimin në grup nëpër palestra.
Ndërsa në Uashington është njoftuar se nga dita e hënë nuk lejohet shërbimi brenda bar-restoranteve, kufizohen takimet mes familjeve të ndryshme dhe pjesëmarrja në vendet e kultit.“Me shpërthimet e reja të infeksionit, fatkeqësisht ka ardhur koha të rikthejmë kufizimet në gjithë shtetin tonë, për të ruajtur shëndetin e publikut dhe për të shpëtuar jetë.”
Ndryshe nga presidenti Donald Tramp, që ka apeluar për mosmbylljen e ekonomisë dhe futjen e vendit në krizë, pasardhësi i tij, Xho Bajden, po tregohet i hapur t’i shtrijë kufizimet kombëtarisht.Administrata aktuale shpreson që të sigurojë brenda muajit dhjetor 20 milionë doza të vaksinës gjermano-amerikane që javën e kaluar rezultoi 90 për qind efikase ndaj virusit korona.SHBA-ja mban vendin e parë për infeksionet dhe bilancin tragjik nga kovidi-19, ndërsa Brazili dhe India pasojnë secili për numrin e vdekjeve dhe rastet e konfirmuara.