×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Çmimet e larta, festat bëhen barrë për familjet në Kosovë

    FrontOnline
    09 Dhjetor 2025

    Në Kosovë, festat e fundvitit nuk janë thjesht kohë gëzimi – për shumë familje, ato janë një provë reale financiare.

    Çmimet e larta të produkteve bazë, ushqimore dhe të energjisë e bëjnë të vështirë përballimin e shpenzimeve festive për familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta.

    Besim Krasniqi, punonjës në sektorin privat me një pagë prej 550 eurosh në muaj, duhet të kursejë gati gjysmën e të ardhurave mujore vetëm për të përballuar shpenzimet e natës së Vitit të Ri.

    “Çdo ditë dal në dyqane dhe i hulumtoj çmimet. Një kilogram mish i terur është 26.00 euro, ndërsa mishi i kuq i viçit ka arritur në 16.00 euro. Kjo është jashtë normales”, thotë ky banor i Prishtinës.

    Familja e tij 6-anëtarëshe mbështetet vetëm te paga e tij, dhe vitin e kaluar shpenzoi rreth 200 euro për festat. Sivjet parashikon të shpenzojë të paktën 270 euro, për shkak të rritjes së çmimeve.

    “I kam katër fëmijë dhe ata kanë kërkesa – dekorime, ëmbëlsira, pije, mish e gjëra tjera”, thotë Krasniqi.

    Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se kjo rritje e çmimeve nuk është e rastësishme.

    Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, thotë se tregtarët shpesh shfrytëzojnë periudhat festive për të ngritur çmimet.

    Kjo situatë, sipas tij, ushtron presion të madh mbi familjet me të ardhura të kufizuara, veçanërisht kur më shumë se gjysma e pagës mujore shkon për konsum.Statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se trendi i rritjes së çmimeve ka nisur që muaj më parë.

    Sipas të dhënave të fundit, në tetor të këtij viti, çmimet e konsumit janë rritur për 5.1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

    Rritjet më të mëdha janë regjistruar tek energjia elektrike (+20%), pemët (+15.3%), kafeja e çaji (+13%), mishi (+12.3%), qumështi, djathi dhe vezët (+7.5%).Paga mesatare bruto në Kosovë është 639 euro, ndërsa të dhënat e ASK-së tregojnë se mbi 55% të kësaj page qytetarët e shpenzojnë vetëm për konsum.

    Ky raport i lartë mes të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas ekspertit Mulaj, dëshmon qartë sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen konsumatorët për ta mbajtur nën kontroll koston e jetesës.

    Ai thekson se disa nga produktet kryesore në tregun kosovar, si mielli, kushtojnë më shumë sesa në tregun e Bashkimit Evropian – gjë që bëhet edhe më problematike kur merret parasysh niveli më i ulët i pagave dhe standardi i jetesës.

    “Kjo shprehi e rritjes së çmimeve lë hapësirë për dyshime mbi marrëveshje të mundshme apo keqpërdorim të pozitës dominuese nga disa kompani”, thotë Mulaj.

    Një problem tjetër kritik mbetet mungesa e kontrollit institucional.

    “Tregtarët, në një mënyrë, janë bërë aq të fuqishëm, saqë edhe institucionet ekzekutive dhe ato të pavarura e kanë të vështirë të hyjnë në një ballafaqim profesional dhe të drejtpërdrejtë me ta, sepse për 20 vjet janë konsoliduar dhe kanë arritur të krijojnë pozita të forta në tregun e Kosovës”, thotë Mulaj.

    Përshtypje të ngjashme ka krijuar edhe Krasniqi, i cili thotë se blen vetëm artikuj në zbritje.

    “Tregtarët nuk frikësohen. Nuk ka as kontroll të çmimeve, as inspektime”, sipas tij.Çmimet e produkteve i përcaktojnë vetë tregtarët, në bazë të konkurrencës dhe raportit ofertë-kërkesë.

    Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Inspektorati i Tregut monitorojnë tregun.

    Megjithatë, asnjëri prej këtyre institucioneve nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të sqaruar nëse qytetarët kanë paraqitur ankesa për ngritjen e çmimeve, apo nëse parashihen kontrolle shtesë gjatë këtij muaji, kur vendi hyn në periudhën e festave të fundvitit, në të cilën çmimet tradicionalisht rriten.Në këtë situatë, remitencat e diasporës bëhen një mbështetje jetike.

    “Pa diasporën”, thotë Mulaj, “Kosova do të kishte probleme të jashtëzakonshme ekonomike”.

    Këto dërgesa, ashtu si dhe vizitat e mërgimtarëve gjatë sezonit të pushimeve përmirësojnë dukshëm standardin e jetesës dhe mbajnë gjallë konsumimin, sipas tij.

    Vlera e remitencave deri më tash këtë vit ka kaluar 1 miliard euro.Në mungesë të këtij “furnizimi të jashtëm financiar”, konsumi i ekonomive familjare do të binte ndjeshëm dhe, rrjedhimisht, qytetarët do të përballeshin me varfëri të thellë dhe mungesë të produkteve bazë, vlerëson Mulaj.

    Mulaj thekson se një pjesë e çmimeve varet edhe nga tregu i jashtëm, pasi Kosova importon shumicën e mallrave.

    Sipas tij, institucionet nuk kanë krijuar një ambient mbështetës për prodhuesit vendorë që të rrisin prodhimin dhe të ofrojnë çmime më të ulëta.

    Pa këtë politikë, tregu mbetet i varur nga importi dhe çmimet mbeten të larta.Në një adresim nga foltorja e Kuvendit, muajin e kaluar, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se “në Kosovë nuk ka krizë ekonomike”, prandaj “edhe nuk ka protesta të qytetarëve”.

    Por, realiteti i përditshëm i familjeve si ai i Krasniqit tregon të kundërtën – një periudhë festive e shoqëruar me vështirësi të ndjeshme financiare.

    “Asnjëherë nuk shkoj në dyqan që të furnizohem për një ose dy javë, zakonisht i përcjell zbritjet javore ose ditore”, përfundon ai.

    Nga Rubrika
    Lajme03 Mars 2026
    Ramush Haradinaj, për herë të parë ka bërë publike letrat drejtuar Abdixhikut dhe Hamzës, me datë 21 janar të këtij viti, duke kërkuar...
    Lajme03 Mars 2026
    Deputetja e PDK-se Arbnora Salihu ka njoftuar se propozimi i saj për zgjerimin e fushëveprimtarisë së Komisionit për Kulturë, Turizëm dhe Sport,...
    Lajme03 Mars 2026
    Ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, aktualisht kryetar i Lëvizjes Socialiste në Serbi, ka kërcënuar me sulme kundër Kosovës, kryeministrit Albin Kurti dhe...
    Të tjera
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, të martën tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin tërë tregtinë me Spanjën pasi vendi evropian refuzoi...
    Sport03 Mars 2026
    Barcelona ka synim që sonte ta bëjë “të pamundurën, të mundur”, në përballje me Atletico Madridin. Në ndeshjen që luhet sonte me...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Teherani ka bërë një deklaratë zyrtare sa i përket tensioneve në Lindjen e Mesme, duke u shprehur se ata ende nuk i...
    Vip03 Mars 2026
    Këngëtari i ri Diell Durmishi, së bashku me motrën e tij Hana Durmishi, kanë publikuar projektin e tyre më të ri muzikor...
    Lajme03 Mars 2026
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte deklaruar se në rast se nuk siguron një mandat të dytë në krye të shtetit, do...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    SHBA-të thonë se kanë goditur më shumë se 1,700 objektiva në Iran që kur filluan operacionet e tyre ushtarake në vend të...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.