Ai ka shërbyer më herët edhe në administrata të Partisë Demokratike, edhe të asaj Republikane.
Ai do të jetë diplomati i parë i karrierës që drejton CIA-n.
Në muajin shkurt, gjatë seancës dëgjimore në Komitetin e Senatit për Inteligjencë, Burns ka përshkruar katër prioritetet e tij: “njerëzit, partneritetet, Kinën dhe teknologjinë”.
Ai e ka përshkruar Kinën si “një kundërshtare të frikshme” dhe “autoritare”, e cila, siç ka thënë, “po i forcon aftësitë e saj për të vjedhur pronën intelektuale, për të shtypur njerëzit e saj, për të zgjeruar shtrirjen dhe për të krijuar ndikim brenda Shteteve të Bashkuara”.
Në vitin 2012, Burns, atëbotë zëvendëssekretar i Departamentit amerikan të Shtetit, ka vizituar Kosovën.
Në takim me udhëheqësit e atëhershëm kosovarë, Burns është zotuar se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen “për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, si dhe për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”.
Burns po ashtu ka mbështetur idenë se dialogu është “i vetmi instrument për zgjidhjen e problemeve” midis Kosovës dhe Serbisë.