Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe sekretari gjemeral, Eroll Salihu, kanë arritur edhe njëherë brenda pak muajve që ta tejkalojnë një krizë të madhe në mes tyre, e cila pritej të rezultonte me shkarkimin e Salihut nga posti i sekretarit të FFK-së.
Dje (15 qershor) është mbajtur mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, prej të cilës ishte paralajmëruar shkarkimi i Salihut pas përqarjeve të thella e të ashpra me presidentin e FFK-së, Agim Ademi. Por, kjo nuk ka ndodhur.
Madje, në njoftimin e FFK-së pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv as që peërmendet rasti “Ademi-Salihu”, por në fotografinë nga kjo mbledhje, në mes Salihut e Ademit shihet anëtarja Vjollca Krasniqi, gruaja e vetme anëtare e Komitetit Ekzekutiv.
“Zeri” mëson se pikë e rendit të ditës në mbledhjen e fundit ka qenë shkarkimi i Eroll Salihut.
Vet Salihu ishte deklaruar për mediet pas raportimit në fjalë duke i pohuar mospajtimet.
“Ka disa mospajtime në kompetenca mes kryetari dhe sekretarit. Nesër do të mbahet mbledhja e Komitetit dhe do të diskutojmë”, ka deklaruar Eroll Salihu për ‘Blic’.
Por, burimet e afërta me zhvillimet neë FFK thonë se Ademi e Salihu e kanë arritur një “paqe të zorit” pasi i janë frikësuar njëri-tjetrit për publikim të keqpërdorimeve që janë bërë brenda institucionit të futbollit viteve të fundit dhe për keqpërdorimin e pozitave zyrtare.
Mësohet se Salihu ua ka dërguar nga një letër anëtarëve të KE-së para se të ndodhte mbledhja.
Madje, thuhet se të dy ata kanë qenë të paralajmëruar e të kërcënuar qysh më herët nga njëri-tjetri për publikim të shumë gjërave që nuk i din opinioni e që kanë ndodhur brenda instucionit të futbollit kosovar.
E njëra nga këto sekrete ka të bëjë me një letër që kishte ardhur nga UEFA-s para një viti, përmes së cilës Komiteti i Etikës kërkonte nga Ademi dëshmi për pafajësi për shkak të procesit gjyqësor ndaj tij, në të cilin Ademit i ishte shqiptuar edhe një dënim me burg, por që pastaj Apeli lëndën e tij tashmë e ka dërguar në rigjykim.
Në të kundërtën, UEFA e kishte bërë të qartë se nuk do ta njohë mandatin e Ademit, gjë që është mbajtur në fshehtësi jo vetëm nga Ademi, por edhe nga Salihu.
Për të mos ndodhur më e keqja secili nga ta ka lëshuar “pe” për ta arritur pajtimin dhe vazhdimin e bashkëpunimit, shkruan “Metro”.
Kjo është hera e dytë brenda një kohe të shkurtër që Ademi e Salihu kalojnë kriza të mëdha, në të cilat thuhet se gati ka pasur edhe konfrontime fizike.
Në muajin shkurt kishte raportime për një përleshje fizike në mes tyre, por Ademi e Salihu përmes një kumtese të përbashkët e kishin mohuar përleshjen, por i kishin konfirmuar përqarjet, mospajtimet e madje edhe debatet me tone të larta në mes tyre.