Babai i njërit prej të plagosurve në tentim-grabitjen e sotme, Muhamet Krasniqi, ka thënë për Klan Kosovën se nuk është optimist për gjendjen e djalit të tij, ndonëse po lutet që të shpëtojë.
Krasniqi mbeti i plagosur sot në një sulm me armë teksa bashkë me kolegun e tij, që të dy punëtorë sigurimi, po transportonin para.
“Gjithmonë kam pasë frikë prejse o hi o punësu aty”, ka thënë prindi i tij, njofton Klan Kosova.
“Gjithmonë mendojmë me shpresë që do të kalojmë mirë”.
“N’gjoks [është plagosur]. Ishalla pshton, po une nuk jom optimist”.
Krasniqi ka njoftuar se djali i tij e ka vetëdijen mirëpo ka humbur shumë gjak, teksa ka shprehur uratën që raste si ky i sotmi të mos ndodhin kurrë më.
“Osht me vetëdije po ka shumë gjakderdhje. Ishalla shpëton”.
“Lus Zotin ishalla tjerët shpëtojnë e nuk ndodh një rast i tillë më”.
“Qet djalë t’vetmin e kam. Çka m’vyn mu jeta ma me m’shku ky djalë?”
Ndërkohë, Klan Kosova ka mësuar se operacioni në Krasniqin ka pasur sukses, dhe se gjendja e tij është stabile.