Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë arrestuar së fundi nga Gjykata Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktualisht ata së bashku me Salih Mustafën, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn gjenden në Dhomën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Por sa janë të rënda veprat për të cilat po pretendohet se i kanë kryer ata?
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale Tahir Rrecaj në një prononcim për Front Online, ka thënë që akuzat për ta janë të rënda, edhe pse ai theksoi se beson që të njëjtit do të dalin të pafajshëm.
“Veprat janë të rënda dhe fakti që janë kualifikuar si krime lufte dhe krime kundër-njerëzimit sigurisht që veprat janë të rënda por a do të vërtetohen ato pretendime të Prokurorisë. Unë besoj që arsyetimi gjyqësor do të përfundoj me lirimin e tyre siç ka ndodhur edhe me rastin d z.Limajt pastaj është gjykuar edhe këtu dy herë për krime lufte dhe ka dal i pafajshëm. Poashtu edhe në rastin Drenica. Megjithatë pasojat do të jenë të pa riparueshme”, ka thënë ai.
Avokati i akredituar nga Specialja theksoi se dënimet mund të shkojnë deri në burgim të përjetshëm.
“Nuk besoj që do të jenë fajtorë, më shumë besoj që do të lirohen. Dënimet janë deri në burgim të përjetshëm por besoj në pafajësinë e tyre dhe për luftën që e kanë bërë në UÇK”, ka thënë Rrecaj për Front Online.
Pretendimet e Gjykatës Speciale se UÇK-ja ka kryer krime edhe ndaj shqiptarëve katolikë, Rrecaj i ka cilësuar skandaloze.
Sipas tij kjo është një tendencë e rrezikshme për të krijuar përçarje në Kosovë.
“Kjo është skandaloze dhe po e potencoj që kanë thënë që kanë vrarë shqiptarët katolik duke aluduar në shqiptarët mysliman e që është një ofendim mjaft i rëndë dhe është një tendencë shumë e rrezikshme për me nxit përçarje ndër fetare brenda popullit shqiptare edhe pse është e njohur në tërë botën që ne jemi shembull unik për tolerancë dhe bashkëjetesë ndër fetare”, ka thënë tutje Rrecaj.
Në aktakuzën e publikuar për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kreun e PDK-së, Kadri Veselin, ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe të deputetit Rexhep Selimi, janë përmendur edhe figura të tjera të kësaj ushtrie.
Na faqen 9 të kësaj aktakuze përmenden edhe emrat e ish-ushtarëve Fatmir Limaj, Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Gecit.