Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, është deklaruar për vrasjen që ndodhi në orët e para të mëngjesit në Ferizaj. Atje mbeti i vdekur një 30-vjeçar me inicialet G.H, derisa i dyshuar për vrasjen është një bashkëmoshatar i tij, me inicialet Q.J.
Për rastin, Jashari ka thënë se motivi i vrasjes s’dihet ende, meqenëse ende s’është intervistuar dëshmitari që ishte bashkë me viktimën kur ndodhi vrasja.
“Jo, ende nuk dihet motivi i vrasjes, për shkak se dëshmitarët që kanë qenë me viktimën ende nuk janë intervistuar. Një ka qenë, në bazë të video-incizimeve shihet vetëm një person. Edhe ndaj zyrtarit policor kanë filluar hetimet në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës”, ka thënë Jashari.
Policia e Ferizajt përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se një person ka mbetur i vrarë në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.
Viktima është G.H i moshës 30 vjeçare i cili si rezultat i plagëve të marra ka vdekur në vendin e ngjarjes.
I dyshuar për vrasjen është Q.J (30 vjeç), i cili në vendin e ngjarjes është kapur me armë në dorë nga policë civilë e me rroba zyrtare.