Ndonëse në shumicën e shteteve tashmë dihet fituesi, në katër shtete të Shteteve të Bashkuara situata ende është e paqartë dhe e pavendosur, ku rezultati mund të ndryshojë në fund. Këto shtete janë Pensilvania, Karolina Veriore, Georgia dhe Nevada. Cilat janë rezultatet më të reja në këto katër shtete dhe kush është më afër fitores?
Në Pensilvani, shtet i rëndësishëm për përcaktimin e garës, ku janë numëruar 89 për qind e votave dhe ku në pyetje janë plot 20 vota të Kolegjit Zgjedhor, kandidati republikan, Donald Trump, po vazhdon të jetë në epërsi me rreth 3 milionë e 215 mijë vota ose 50.7 për qind, ndërsa rivali i tij, demokrati Joe Biden ka marrë rreth 3 milionë e 51 mijë vota ose 48.1 për qind. Duhet theksuar se epërsia e Trumpit në këtë shtet ka qenë shumë më e lartë gjatë numërimit në fazën e parë të mërkurën, ndërsa dallimi mes dy kandidatëve u zvogëlua dukshëm të enjten.
Da
llimi mes dy kandidatëve është më i ngushtë në Georgia, shtet me 16 vota në Kolegjin Zgjedhor. Pas numërimit të 98 për qind të votave, atje prin Donald Trump, por vetëm me 0.4 për qind vota më shumë se Joe Biden, i cili ka 49.2 për qind, shkruan Gazeta Express. Kthyer në vota të përgjithshme, epërsia e Trumpit është me rreth 18 mijë vota.
Garë e ngushtë dhe ende e pavendosur po zhvillohet edhe në Karolinën Veriore. Sipas të dhënave të televizionit Fox News, në shtetin me 15 vota në Kolegjin Zgjedhor, ku deri më tani janë numëruar 94 për qind e votave, Donald Trump ka 50.1 për qind të votave, ndërsa Joe Biden 48.7. Ndryshe, dallimi në vota është 1.4 për qind ose rreth 77 mijë vota.
E gara më e ngushtë në aspektin e shifrave është duke u zhvilluar në Nevada, shtet me numër shumë më të vogël të banorëve në krahasim me tri shtetet e përmendura më sipër. Ky shtet ka vetëm gjashtë vota në Kolegjin Zgjedhor, por mund të luajë rol vendimtar në fund, nëse rezultati i përgjithshëm është i përafërt apo i barabartë. Nga numërimi i 78 për qind të votave, Joe Biden është duke prirë me 588 mijë, me vetëm rreth 7.600 vota më shumë se rivali Donald Trump.
Ndryshe, presidenti Donald Trump tashmë ka dorëzuar disa ankesa ligjore në shtete të ndryshme me pretendimin e pabazuar se ka pasur mashtrime, duke kërkuar ndërprerje të procesit të numërimit. Ndaj kësaj kërkese ka reaguar kampi i rivalit Joe Biden, duke thënë se kërkesa e tij është përpjekje për t’ua marrë të drejtat demokratike qytetarëve amerikanë.