Më 5 nëntor bëhen 8 vite nga vdekja e Astrit Deharit.
Tetë vite më parë aktivisti i “Vetëvendosjes” Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij ku po mbahej në paraburgim në Prizren, i cili po akuzohej bashkë me pesë aktivistë tjerë për gjuajtjen e Kuvendit me zollë.
Pas vdekjes së Deharit, “Lëvizja Vetëvendosje” kishte premtuar se gjatë mandatit të saj qeverisës do ta zbardhte këtë rast, por ndodhi e kundërta. Ishte dhjetori i vitit 2022, kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte njoftuar opinionin publik se ishin zhdukur disa mostra të Astrit Deharit nga Instituti Mjeko-Ligjor në Prishtinë, të cilat ishin gjetur sërish pas gati një viti e gjysmë.
Për këtë rast, katër persona të dyshuar u suspenduan.
Avni Dehari: Çështja e Astritit në dorën e Prokurorisë, s’kanë bërë diçka më tepër
Se si e ka parë punën e Ministrisë e Drejtësisë dhe Prokurorisë për zbardhjen e vdekjes së djalit të tij për “Front Online” ka folur babai i Astritit, Avni Dehari.
Dehari deklaroi se Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga Prokuroria disa herë të zbardhet ky rast, por këta të fundit e kanë konsideruar si ndërhyrje.
“Pushtetet janë të ndara dhe nuk kanë mundësi t’iu përzihen Prokurorisë. Kanë kërkuar shpesh herë si ministrja dhe kabineti i saj që të zbardhet këtë rast edhe atë e kanë konsideruar si ndërhyrje”, deklaroi Dehari.
Tutje, Dehari thotë se çështja e djalit të tij është në dorën e Prokurorisë.
Sipas tij, mbi këtë rast s’ka bërë ndonjë gjë.
“Çështja e Astritit është në dorën e Prokurorisë që nga fillimi e deri më sot janë të njëjtit persona që kanë qenë 2016 dhe nuk kanë bërë diçka më tepër”, u shpreh Dehari.
Ganimete Musliu: Albin Kurti duhet të mbajë përgjegjësi për gënjeshtrat e rastit të Astrit Deharit
Deputetja e “Partisë Demokratike të Kosovës”, Ganimete Musliu është shprehur se rasti i Astrit Deharit është shpërfaqja e shëmtuar e kauzave demagogjike të Kurtit.
“Rasti i Astrit Deharit është shpërfaqja më e shëmtuar e kauzave demagogjike të Albin Kurtit”, deklaroi Musliu.
Deputetja Musliu për “Front Online” ka deklaruar se pas pesë vitesh qeverisJe, pushteti aktual për këtë rast s’ka guxim ta thotë të vërtetën.
“Edhe pas pesë vitesh qeverisje të Albin Kurtit nuk janë vërtetuar akuzat dhe propagandën e tij, por nuk gjejnë kurajon për të thënë të vërtetën sepse ende synojnë ta përdorin si rast”, thotë Musliu.
Musliu thotë se familja Dehari e meritojnë të vërtetën e këtij rasti.
Sipas saj, Kurti duhet të mbajë përgjegjësi për humbjen e mostrave të Deharit.
“Është shumë e dhimbshme dhe bashkëndjej me familjen, por ka ardhë koha që Albin Kurti të mbajë përgjegjësi për gënjeshtrat, akuzat, indoktrinimin e të rinjve, për humbjen e mostrave si dhe për zjarrin në institutin e mjekësisë ligjore. Astrit Dehari dhe familja Dehari meritojnë të vërtetën dhe qetësinë”, u shpreh Musliu për “Front Online”.
Haki Abazi: Albin Kurti po e mitizon çështjen e Astrit Deharit, por drejtësinë për të nuk po e sjellë
Ish-bashkëpartiaku i kryeministrit aktual, Albin Kurtit, Haki Abazi, ka deklaruar për “Front Online” se kryeministrit Kurti nuk po e sjellë drejtësinë, por mitizimin e Astrit Deharit.
Tutje, ai thotë se pavarësisht instrumenteve që i ka Kurti, nuk po i përdorë të njejtat.
“Kurti po bënë mitizimin e Astrit Deharit, por drejtësinë për to nuk po e sjellë, edhe pse i ka të gjitha instrumentet e duhura, por po dëshiron të bëjë mitizimin për të cilin qëndron në pushtet dhe jo për drejtësinë e Astriti”, u shpreh Abazi.
Familja e Astrit Deharit paten kërkuar ekspertizë ndërkombëtare.
Në ekspertizën e vitit 2019, të përpiluar nga mjekët ligjorë në Llozanë të Zvicrës, nuk përjashtohej asnjëri opsion, as vetëvrasja e as vrasja.
Gati 3 vjet pas ekspertizës së parë, ekspertët zviceran, në tetor të vitit 2021, zbarkuan në qelinë ku kishte vdekur Astrit Dehari.
Në raportin e tyre thuhej: “analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin Astrit Dehari në momente të afërta me vdekjen, nuk kanë treguar profil të ADN-së, përveç të Astrit Deharit”. Edhe pas këtij raporti, familja Dehari kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit Afrim Shefkiu nga ky rast.