Të parën e kaloi.
E pa e marrë mirë vetën prej saj, vendit po i duhet të përballet edhe me një valë tjetër të Coronavirusit.
Më të atakuarit vazhdojnë të mbesin akoma të moshuarit.
Por krahasuar me valën e parë, kjo e dyta, po i prek më në numër edhe ata që janë më të rinj në moshë.
Këtë e ka vërejtur pulmologu, Flamur Marku, të cilit i bie përditë të merret me të infektuarit në Klinikën e Pulmologjisë.
“Realisht kemi pasur përkeqësim të gjendjes së pacientëve. Kemi numër të madh të pacientëve që kanë në nevojë për hospitalizim. Kemi vërejtur edhe rritje të numrit të sëmurëve në moshë më të re, sesa mosha që ka qenë gjatë muajve, korrik e qershor”, u shpreh ai për Front Online.
Shkak përkeqësimi, sipas tij, mund të jenë edhe gripet që nisin të përhapen tash në dimër.
Për këtë arsye ai bën thirrje për kujdes të shtuar gjatë kohës sa mbizotëron i ftohti.
“Të respektohen masat e prezantuara nga IKSHPK, me ardhjen e stinës se ftohtë do të kemi komplikime prej gripit sezonal, të cilat mund të na komplikojnë edhe më shumë në rast se prekemi prej COVID-it”, theksoi ai për Front Online.
Ndryshe, pasojat, do të jenë të rënda.
“Për shkak të infeksionit, pacientët që prekën, kanë pneumoni, ftohje të rëndë të mushkërive. Shumica e atyre që mjekohen me kohë nuk lënë pasoja. Por, kemi ndryshime kronike që mund të mbesin, fibroza, ndjenja e lodhjes, që përsëriten kohë pas kohe”,deklaroi Marku për Front Online.
Në Klinikën e Pulmologjisë prej fillimit të pandemisë e deri tash me virusin Corona janë infektuar, 8 mjekë dhe 20 infermierë.